
Një princeshë japoneze që hoqi dorë nga titulli i saj për t’u martuar me një djalë jo-fisnik, ka mbërritur dje në New York, ku çifti do të nisin jetën e tyre si qytetarë të thjeshtë.
Mako Komuro, babai i së cilës është trashëgimtar i fronit të perandorit japonez Naruhito, është larguar nga Tokio, disa javë pasi regjistroi martesën e saj me të fejuarin Kei Komuro, pa bankete madhështore martese apo celebrimet tipike që shihen me anëtarët e familjes mbretërore.
Ligji japonez kërkon që mbretërorët të heqin dorë nga titulli i tyre nëse martohen me dikë jashtë linjës mbretërore të gjakut.
Tashmë për dy 30-vjeçarët po bëhen paralelizma me martesën e princit britanik Harry e ish-aktores amerikane Meghan Markle, pasi dyshja japoneze ka përmendur si arsye të largimit ‘trajtimin e tyre nga mediat vendase’.
Por ka një numër princeshash të njohura që kanë hequr dorë nga titulli i tyre për t’u martuar me burra të thjeshtë, edhe pse largimi i Mako është nga të paktët që ka shkaktuar zemërim të gjerë publik.
Çifti ishin njohur në universitet, dhe janë ndjekur vazhdimisht nga mediat e publiku që prej njoftimit të fejesës së tyre katër vjet më parë.
Martesa e tyre u shty disa herë prej datës fillestare të njoftimit në 2018 pas lajmeve skandaloze të mediave japoneze se mamaja e Komuro nuk kishte paguar një borxh ndaj ish-të fejuarit.
Doktorët e pallatit mbretëror thanë se lajmet skandaloze për të fejuarin kishin bërë që pricesha Mako të krijonte simptoma të stresit post-traumatik.
Top Channel