Nis puna për ndërtimin e Tunelit të Llogorasë/ Balluku: Do të dyfishohet numri i mjeteve, Rama: Ëndërr që po bëhet realitet

14/11/2021 12:25

Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, që synon të shkurtojë kohën për mjetet që përshkojnë këtë rrugë, ka nisur zyrtarisht këtë të diel.

Në një fjalim nga kantieri i ndërtimit, ministrja e Infrastrukurës, Belinda Balluku u shpreh se “falë këtij projekti të dëshiruar prej dekadash, do të dyfishohet volumi i mjeteve, nga 3 mijë në 6 mijë makina në ditë që përshkojnë Llogoranë”.

Kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh se ndërtimi i këtij tuneli, do të bëjë realitet një ëndërr që prej vitesh e kanë dashur banorë të zonës dhe qytetarët apo turistët që bëjnë këtë rrugë për të shkuar në jug të vendit.

Është një ditë e shënuar në kapitullin e punëve të madhe publike. Po realizohet në terren një ëndërr që e ka shoqëruar këtë zonë përgjatë këtyre vite. Ka qenë një nga kryefjalët e premtimeve të të gjithë atyre që kanë kaluar nga këto anë. Siç ka ndodhur dhe me vepra të tjera të mëdha, zotimin ne po e bëjmë realitet.

 Tuneli do të bëjë të mundur një shkurtim të konsiderueshëm të kohës, rritje të konsiderueshme të sigurisë dhe lidhje organike me segmentin tjetër në ndërtim e sipër, ai i Orikumit dhe pastaj me bypass-in e Vlorës, që tanimë është drejt përfundimit me detajet e fundit për të qenë plotësisht i kryer në sezonin e ardhshëm turistik, e më tutje me bypass- in e Fierit, nëse shohim drejt veriut nga këtu”.

Sipas kryeministrit, zhvillimi infrastrukturor i zonës ka ndikuar në rritje ekonomike, duke zhvilluar turizmin, bujqësinë e duke i rritur vlerën tokës.

“Sot që flasim flet vetë rritja e menjëhershme e vlerës së pronës, tokës, së asaj toke të mundur për zhvillim turistik dhe agroturistik për gjithë pjesën e brendshme, dhe jo vetëm pjesën e bregdetit. Flet vetë sepse tanimë gjithë ky zhvillim infrastrukturor i ka hapur rrugën një parafytyrimi shumë më të prekshëm për të krijuar një realitet të ri për prodhimet bujqësore dhe blegtorale të zonës, të cilat nuk do jenë më prodhime mbijetese për ata që ende janë në këto vise, ndërkohë që të tjerë janë larguar nga këto vise sepse përndryshe do duhet të pranonin thjeshtë një prodhim mbijetese, në pamundësi për të pasur një prodhim, i cili të sillte”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA