Erigers Mihasi dhe Armand Dumani u ekzekutuan mbrëmjen e kaluar, në një atentat mafioz e të mirëmenduar.
Sipas hetimeve paraprake, autorët, që ende nuk janë identifikuar kanë qëlluar me breshëri plumbash dhe në trupat e të ndjerëve kanë përshkuar mbi 20 plumba, duke u sjellë të dyve vdekjen e menjëhershme.
Vetë skema e vrasjes dhe saktësia për të qëlluar drejt shënjestrës i çon hetimet drejt pistës së vrasjes me dashje nga vrasës me pagesë.
Mësohet se automjeti tip Audi ku udhëtonin viktimat është qëlluar në ecje dhe më pas ka ndaluar në këtë pjesë të rrugës, dhe dy mjetet po udhëtonin nga pallati me shigjeta në drejtim të rrethrotullimit të ish sheshit shqiponja.
Në zonën e Thumanës në Fushë-Krujë është gjetur një automjet tip Toyota i djegur, i cili dyshohet se është i atentatorëve. Policia njoftoi se target e mjetit të djegur janë të vjedhura.
32-vjeçari Erigers Mihasi sapo ishte kthyer nga Gjermania. Ai ka qenë një nga njerëzit më të besuar të biznesmenit të lojërave të fatit, Vis Martinaj, dhe ka precedentë të mëparshëm penal. Ishte liruar nga burgu në vitin 2019, dhe ishte shpallur sërish në kërkim për një arsenal armësh që ishte zbuluar në zonën e Yrshekut.
Mihasi u arrestua për grabitjen dy prindërve të moshuar të Elton Çiços në Tepelenë, por u la sërish i lirë brenda muajsh.
Së fundi, Mihasi frekuentonte xhaminë, por nuk mundi t’i shpëtojë të kaluarës së tij të errët, ku duket se autorët kishin ende ‘hesape’ të palara.
32-vjeçari dhe miku i tij, Armand Dumani 26-vjeç, vdiqën në vend, brenda mjetit tip “Audi”, teksa po lëviznin nga zona e ish-doganës drejt Pallatit me Shigjeta, rreth orës 19:30.
Top Channel