Kryebashkiaku Veliaj i bashkohet aksionit për pastrimin te Bregu i Lumit: Marrim masa për ata që ndotin

14/11/2021 14:45

Bashkia e Tiranës ka nisur prej disa ditësh një aksion të madh për pastrimin e zonës së Bregut të Lumit, ku punonjësit e terrenit dhe jo vetëm po punojnë me intensitet për largimin e mbetjeve të hedhura pa kriter nga qytetarë të papërgjegjshëm.

Aksionit të pastrimit këtë të dielë iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli si dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe zv/ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici.

Kryebashkiaku Veliaj tha se mbajtja pastër e çdo zone në kryeqytet, nuk bën gjë tjetër veçse i rrit vlerën pronës.

“Ndotja ndodh nga banorët e zonës. Është për të ardhur keq sepse ky komunitet ka parë investimin më të madh. I është rritur vlera e pronës vetëm nga fakti që lumi tani nuk përmbytet më. Para 6 vitesh përmbytja e lumit shkonte deri tek “Siri Kodra”. Sot është bërë një investim i jashtëzakonshëm, por duhet mirëmbajtur. Ne mund të bëjmë mijëra kilometra rrugë, infrastrukturë, por njeriu duhet të punojë me mentalitetin e tij, sepse vetëm kështu ia rrit vlerën kësaj prone, për të cilën është rritur interesi edhe për shkak të lagjeve të reja që po bëhen”, theksoi Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të reflektojnë dhe të mos ndotin ambientin ku jetojnë.

“Ftesa për të gjithë qytetarët është: Kjo nuk fitohet me një aksion. Mos e bëni për Edi Ramën, mos e bëni për ministren, mos e bëni për kryetarin e bashkisë, por për fëmijët tuaj. Kur del fëmija dhe luan në një fushë me plehra, është ai i pari që impaktohet, është shëndeti i tij, është ajo që merr frymë, është ushqimi që ha”, vijoi më Veliaj, teksa paralajmëroi se do merren masa për këdo që ndot ambientin. “Ne do fillojmë të vëmë masa për të ruajtur fëmijën e banorit që hedh plehrat. Po vëmë masa, po gjobisim prindin, që të ruajmë fëmijën, sepse është e pamundur të vazhdohet kështu”, pohoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli shprehu rëndësinë e mbajtjes së mjedisit pastër, ndërsa theksoi se për këtë, para së gjithash nevojitet ndryshim mentaliteti për të mos hedhur mbetjet kudo.

Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se kjo iniciativë është në vazhdimin e një plani të pastrimit kombëtar që ka nisur si përgatitje një muaj më parë. “Nëse jemi këtu në mandatin e tretë jemi sepse kemi marrë përsipër edhe kusuret e 30 viteve, edhe detyrat e sotme, por sidomos kemi marrë përsipër të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe në ka një gjë që patjetër duhet ta disiplinojmë, është pastrimi i mbetjeve”, theksoi Kumbaro.

Ky aksion i gjerë pastrimi do të vazhdojë edhe ditët në vijim deri në pastrimin e plotë të zonës.

Qytetarët që jetojnë pranë zonës së njohur si Bregu i Lumit kanë shpëtuar tashmë prej përmbytjeve që pësonin thuajse pas çdo shiu. Ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e gjithë kësaj zone me ndërtimin e skarpateve dhe pritave në gjithë gjatësinë e Lumit të Tiranës ka eliminuar përmbytjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA