Ipeshkvijtë e Kishës Katolike të shqetësuar për rritjen e çmimeve: Po shtohen ata që na kërkojnë ndihmë, qeveria të marrë masa!

14/11/2021 10:42

Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në vendin tonë kërkojnë të merren masa konkrete për të ndihmuar shtresat në nevojë, që po vuajnë krizën ekonomike dhe rritjen e çmimeve në Shqipëri.

Me rastin e Ditës së Pestë Botërore për të Varfrit, që kremtohet këtë të diel, ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, shprehin shqetësimin për ndikimet negative të krizës ekonomike që ka përfshirë vendin tonë.

Si barinj të Kishës i kemi ndjekur ndryshimet fiskale të ndodhura në kohët e fundit, sikurse rritja e çmimeve të produkteve të shportës, karburanteve dhe gazit (si dhe është përfolur edhe për rritjen e çmimit të energjisë elektrike) dhe vërejmë me keqardhje mungesën e vëmendjes që duhet për të varfrit e nevojtarët, për të pamundurit e të mënjanuarit e shoqërisë sonë.

Ky mesazh është një ftesë dhe njëkohësisht një nxitje për të marrë masa konkrete e për t’i kthyer sytë drejt më të varfërve, sepse Zoti kur zbuloi fytyrën e vet e shfaqi atë si Atë për të varfrit dhe pranë të varfërve e po ashtu detyra e një shoqërie është t’u vijë në ndihmë më të brishtëve në mesin e saj.

Të qenit qeveritar, vendimmarrës, politikëbërës nuk është vetëm një pozitë që reflekton autoritet, por është një thirrje për të shërbyer, për t’iu dhënë zë kauzave që u mungon zëri, për të qenë miqtë e nevojtarëve, për të dëgjuar britmat e të varfërve në mjerimet e tyre.

Tërmeti, pandemia, kriza e përshkallëzuar ekonomike, që ndihet tek rritja e çmimeve të prodhimit e kanë shtuar numrin e parregullsive morale e shoqërore që sigurisht shkaktojnë gjithnjë e më shumë forma të reja varfërie, si pasojë e aktorëve ekonomikë e financiarë të paskrupullt, të privuar nga çdo ndjeshmëri njerëzore e përgjegjësi shoqërore”, shkruhet në letrën e tyre.

Ipeshkvijtë  tregojnë se në qendrat për të varfrit janë shtuar kërkesat për ndihmë.

Prandaj, ky mesazh është një thirrje e fortë për ata të cilëve populli iu ka besuar administrimin e të mirës së përbashkët, për politikën, për qeverinë, që të mos e humbasin mundësinë për ta bërë të mirën, sepse ‘Zoti i do ata që dhurojnë me gëzim’. I drejtohemi Qeverisë, Kuvendit të Shqipërisë, Institucioneve financiare vendase dhe ndërkombëtare, Bashkive të vendit, që të mbështesin dinjitetin e të varfërve dhe nevojtarëve.

Me bindjen se do të dëgjohet zëri i të varfërve, sikurse na fton edhe Papa Françesku, ne Ipeshkvijtë përtërijmë angazhimin tonë për të qenë pranë nevojtarëve, ashtu sikurse kemi bërë gjithmonë, duke ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë dhe të institucioneve tona të bamirësisë, në këtë sfidë kundër varfërisë, brenda mundësive tona, por me gjithë vetveten tonë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA