Forcat kufitare polake thanë të shtunën mbrëma se emigrantëve në anën bjelloruse të kufirit u janë dhënë kapsula gazi lotsjellës dhe lazera të cilët po i përdorin kundër ushtarëve polakë.
Autoritetet evropiane thanë se emigrantët fatkeqë janë “armatosur” nga Bjellorusia, në zhvillimet dramatike pranë qytezës polake të Czeremcha.
Forcat kufitare polake publikuan pamje të lazerave e dritave të përdorura kundër ushtarëve.
Autoritetet polake bënin të tjera akuza duke thënë se një pjesë e gardhit kufitar me gjemba prej 170 km, është shkatërruar qëllimisht nga forcat bjelloruse.
Në pamjet e ardhura sot nga kriza e rëndë humanitare, shihej se mes refugjatëve kishte dhe foshnje.
Ndërsa minsitria bjelloruse e mbrojtjes akuzon Poloninë për ngjeshje ushtarake në kufi me rreth 15,000 trupa të mbështetur me tanke, mjete mbrojtjeje ajrore e armë të tjera.
Një i ri sirian u gjet sot i vdekur në zonën pyjore aty pranë, duke e çuar në nëntë numrin e viktimave deri tani, shkruan rrjeti britanik Metro.
Dje NATO tha se dënon ashpër emigracionin artificial të parregullt të krijuar nga Bjellorusia.
“Këto veprime rrezikojnë jetën e njerëzve të dobët. Ne do të mbetemi vigjilentë për përshkallëzime apo provokime të Bjellorusisë, në kufi me Poloninë, Letoninë e Lituaninë”, thuhej në deklaratë.
Top Channel