Në 7 Maj të vitit 2021, në portin e Durrësit mbërrin një anije me kontejnerë që ishte nisur nga Santosi në Brazil. Mes qindra njësive të mallrave, njëra prej tyre ishte në monitorim.
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar kishte siguruar informacion të saktë nga vendet partnere mbi një ngarkesë të madhe kokaina që po vinte në Durrës. Informacionet paraprake ishin për mbi 2 tonë kokainë të pastër, por në fund rezultoi një ngarkesë prej 400 kilogramësh.
“Më shumë me informacionin se analiza e riskut e doganës nuk lidhet me problem rrezikshmërie të kësaj natyre por me problem doganore”, u shpreh Pëllumb Nako, Ish-drejtor i Policisë Kufitare.
Kontejneri kishte ndjekur itinerarin Brazil, Spanjë, Itali dhe Shqipëri. SPAK, kishte siguruar informacionin që në momentin e nisjes së lëndës narkotike nga Brazili. Kur ngarkesa mbërriti në Gioja di Taura në Itali, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin. Në këtë moment, prokurori Vladimir Mara autorizoi dorëzimin e kontrolluar të ngarkesës. Kjo do të thotë që malli do të survejohej por nuk do ti nënshtrohej asnjë kontrolli në portin e Durrësit, deri në mbërritjen e kokainës në pikën fundore në Kosovë. Synimi ishte shkatërrimi i gjithë rrjeti të trafikantëve.
“Detyra siaps ligjit e kocnesionarit skanimit përfundon me nxjerrjen e analizës imazhit. Me nxjerren analizës imazhit janë autoritetet ligjzbatuese, autoriteti doganor ose policia kufitare për procedurat e mëtejshme. Por, kjo nuk e pengon që asnjë nga këto autrotitet në raste dyshimesh të forta, apo të dyshimeve mbi procedurën, të shkojë pranë koncesinarit, skanimit që të marrë një informacion më të saktë”, u shpreh Ilir Mino, Dogana/ Projekt- menaxher i skanimit.
Nga data 7 Maj deri në 15 Maj 2021 kontejneri me drogë qëndroi në portin e Durrësit. Aty, monitorohej 24 orë nga autoritetet ligjzbatuese. Në 15 Maj, kontejneri ka dalë nga porti me kamionin me targa Kosove 01-215-XC. Top Story ka siguruar foton ekskluzive gjatë ndjekjes së kamionit deri në pikën kufitare ku u fut në aksion pala kosovare.
Ndjekja u realizua në komunikim në kohë reale me palën italiane që kishte konfirmuar ekzistencën e lëndës narkotike nga kontrollet në Gioia Tauro. Në fund, kamioni mbërriti në magazinën e kompanisë “MC Food” në Lipjan. Aty u survejua për 48 orë, derisa u vendos të ndërhyhej në 17 Maj. Magazina ishte baza e përzjerjes së lëndës së pastër. Policia ndaloi 25 persona, 7 prej të cilëve u arrestuan. Mes tyre, ishte pronari i kompanisë “MC Food” Izet Shaqiri, i konsideruar kreu i grupit.
“Bllokimi i një sasie të tillë, apo monitorimi dhe dorëzimi i kontrolluar i sasisë prej 400 kg kokainë tregon që efektiviteti i strukturave tona është në lartësinë e duhur”, u shpreh Arben Kraja, Kryeprokuror SPAK.
Pasi u peshua, rezultoi se ishte sekuestruar plot 400 kilogramë kokainë. Sipas prokurorëve të SPAK, lënda ishte kristal e pastër, cilësia më e mirë dhe kishte një vlerë prej 100 milionë eurosh. Në pamjet e siguruara nga Top Story, shfaqen momentet kur lënda narkotike nxirret nga arkat për tu peshuar. Droga ishte kamufluar në kuti me mish dhe akull.
Ky është një truk i ndjekur pasi era e mishit bën thuajse të pamundur zbulimin e drogës nga qentë e policisë. Po ashtu, akulli pamundëson zbulimin e kokainës nga skaneri. Referuar operacioneve me dorëzim të kontrolluar, bllokimi i 400 kilogramë kokainë të pastër përbën rekord për Ballkanin dhe Evropën.
Top Channel