Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mbështesin Ballkanin e Hapur dhe nismat e tjera rajonale që rrisin ndërveprimin me të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se këto nisma duhet të jenë të hapura për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë me gazetaren Anila Hoxha për Top Channel, ambasadorja amerikane tha se SHBA-të do të mbështesin fort integrimin e Shqipërisë në BE, pasi besojnë se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se duhet të zhvillohet Konferenca Ndër-Qeveritare përpara fundit të vitit.
Kim tha se roli i Shqipërisë shtrihet përtej rajonit dhe ky është një zhvillim i ri për vendin, ndërsa thekson se me të ardhur 1 janari 2022, për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria do të jetë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, organi më i lartë i kësaj organizate ndërkombëtare.
“Shqipëria do të ulet përkrah Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kinës, Rusisë. Pra, është diçka shumë e madhe dhe ne presim me kënaqësi të punojmë edhe më ngushtë me Shqipërinë për çështje anembanë botës”, tha ajo.
“Roli i Shqipërisë po rritet. Në rajon, jemi shumë të kënaqur të mbështesim Ballkanin e Hapur dhe nisma të tjera rajonale që rrisin ndërveprimin midis të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe çelësi është që këto nisma duhet të jenë të hapura për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne vazhdojmë të mbështesim fort integrimin e Shqipërisë në BE dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Besojmë që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se duhet të zhvillohet Konferenca Ndër-Qeveritare përpara fundit të vitit. Do të shtyjmë fort për këtë. Roli i Shqipërisë shtrihet përtej rajonit dhe ky është një zhvillim i ri. Me të ardhur 1 janari 2022, për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria do të jetë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, organi më i lartë i kësaj organizate ndërkombëtare. Kështu, Shqipëria do të ulet përkrah Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kinës, Rusisë. Pra, është diçka shumë e madhe dhe ne presim me kënaqësi të punojmë edhe më ngushtë me Shqipërinë për çështje anembanë botës”, tha ambasadorja amerikane në Tiranë për Top Channel.
Kujtojmë se planet për krijimin e Open Balkan u deklaruan për herë të parë në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë. Më pas pati dy takime të tjera të liderve të tre vendeve më 11 nëntor 2019 në Ohër dhe më 12 dhjetor 2019 në Tiranë.
Më 29 korrik 2021 në Ohër, Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan marrëveshjen për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave.
Serbët dhe shqiptarët përbëjnë dy etnitë dominuese në Open Balkan duke pasur një shtrirje të popullsisë në të paktën tre shtete. Të tre vendet së bashku kanë një GDP prej 88 miliardë dollarë.
Deri tani pjesë e kësaj iniciative janë bërë vetëm këto tre vende ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina kanë hezituar t’i bashkohen. Kosova nuk ka marrë pjesë në takimet për këtë iniciativë edhe pse Marrëveshja e Uashingtonit parashikonte se Beogradi dhe Prishtina do t’i bashkoheshin “mini-schengen”. Kurse Bosnje-Hercegoniva dhe Mali i Zi pavarësisht ftesave janë deklaruar se do të mbeten spektatore.
Po ashtu, lajmi i zgjedhjes së Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u vlerësua si një mundësi historike dhe arritje e diplomacisë shqiptare. Për herë të parë pas anëtarësimit në OKB, Shqipëria u votua për të qenë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB për një mandat 2 vjeçar. Mandati fillon më 1 janar 2022. Ky Këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme kurse 10 vendet e tjera anëtare janë me një mandat dy vjeçar.
Top Channel