Rama për emergjencat civile: Që të jenë ëngjëll mbrojtës i qytetarëve, duhet t’i pajisim çdo vit me kapacitete logjistike cilësore

10/11/2021 18:37

Gjatë prezantimit të ‘Buxhetit 2022’ për Ministrinë e Mbrojtjes, kryeministri Edi Rama foli për emergjencat civile duke thënë se do të pajisin emergjencat civile me kapacitgete ligjore e teknologjike për tu bërë “ëngjëll mbrojtës i qytetarëve”.

Nga ana tjetër, Rama kujtoi se trupat ushtarake kanë ardhur në ndihmë në rastet e fatkeqësive natyrore dhe i falenderoi për faktin se mishërojnë çdo ditë himnin kombëtar.

Përveç kësaj, kryeministri theksoi se adresimi i nevojave nuk mund të bëhet në mënyrë të njëhershme, ndërsa shtoi se pagat do të rriten çdo vit që askush të mos ketë vështirësi.

Edi Rama: Nga ana tjetër, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të forcojmë kapacitetin e mbrojtjes civile, të emergjencave civile. Ajo që na duhet është që vit pas viti ti pajisim emergjencat civile jo vetëm me kapacitete logjistike cilësore, as dhe vetëm me kapacitete teknologjike cilësore, por edhe me të gjithë dijen për tu bërë tamam një ëngjëll mbrojtës i qytetarëve në këto ditë të vështira. Jo se nuk janë, jo se ka munguar ndonjëherë sakrifica e të gjithëve ju kur ka ardhur fjala për të nxjerrë masivisht trupa të ushtrisë për të përballuar kriza të krijuara nga fatkeqësitë natyrore por hapësira për të bërë më shumë është goxha e madhe.

Të ndiheni jo vetëm krenarë për faktin që i shërbeni flamurit tonë kombëtar, e mishëroni himnin tonë kombëtar në aktivitetet tuaja, por për t’ju bërë të ndiheni të mbështetur maksimalisht në çdo gjë, çdo ditë. Mos mendoni që është e lehtë për ne, për mua, për ministrin që ta dijë se cilat janë nevojat dhe të mos jetë në gjendje që këto nevoja ti adresojë të gjitha njëherësh, është e pamundur. Por të jeni të bindur që adresimi i nevojave tuaja do të vijë duke u rritur vit pas viti. Nuk do të ketë një vit që nuk do të rriten pagat tuaja. Mos kërkoni që të themi që 30% çdo vit, mund të ndodhë më shumë në një vit, ose më pak në një vit por gjithmonë do të vijë në rritje që të mos keni absolutisht vështirësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA