Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se qeveria ka miratuar 3 vendime për shpronësimet e banorëve që preken nga ndërtimi i infrastrukturës konkretisht në Vlorë, Patos dhe Roskovec.
Balluku foli edhe njëherë për reformën në ujësjellësa duke dhënë detaje të reja si do të bëhet. Balluku tha se reforma e këtij sektori pritet që të përfundojë brenda 12 muajsh.
“Kaluam tre akte që lidhen me shpronësimet, në “bypass”-in e Vlorës për ta përfunduar deri në fillim të sezonit veror 2022. Në Patos për shëtitoren që do të ndërtohet aty dhe një shpronësim në Roskovec për ujësjellësat. Në Roskovec është pjesë e strategjisë për të investuar në të gjithë ujësjellësit në Shqipëri. Ne kemi nisur një reforme të thellë të sektorit që do të përfundojë brenda 12 muajsh dhe do të nis një mënyrë të re menaxhimi. Fondet e i investuara në sektorin e ujit kanë rritur kushtet teknik të ujësjellësve, por nuk janë indikatorët që ne prisnin pas punës dhe shumës të madhe të investuar. Pa cenuar pushtetin vendor, por duke pasur parasysh që shërbimet cilësore janë prioritet dhe do të nisim reformë për sektorin e ujit për të rritur menaxhimin në secilin bashki”, u shpreh Balluku.
Top Channel