Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për inxhinierin Elton Marko, i cili u arrestua dje me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Marko me detyrë topograf i Bashkisë Himarë ka falsifikuar dokumentet për të marrë në emër të tij 7.700 metra tokë në Dhërmi e më pas i ka shitur. Prokuroria sekuestroi gjithë pronat.
Topografi i Bashkisë së Himarës u arrestua me urdhër të prokurorit të Vlorës Aurel Zarka, pasi akuzohet për falsifikim të dokumenteve shtetërore dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Elton Marko, topograf brenda një kohe të shkurtër sajoji dokumentet në emër të bashkisë ku punonte, falsifikoi firmat e kryebashkiakut dhe drejtuesit të sektorit të pronave për një sipërfaqe toke prej 7.700 metrash e më pas i dorëzoi vetë nëpërmjet postës në Hipotekën e Vlorës për t’i regjistruar.
Prokurori ka pyetur kryebashkiakun Gogo dhe drejtuesit e administratës në Himarës të cilët sqaruan se firmat e tyre ishin falsifikuar dhe se dokumentet nuk kishin dalë zyrtarisht nga bashkia e Himarës.
Për të evituar zbulimin topografi Elton Marko, i paraqiti vetë në hipotekë dokumentet e më pas i kërkoi hipotekës që t’i jepte dëshminë e pronësisë në emër të tij dhe të së motrës. Menjëherë pas këtij akti ai e ka shitur tokën shtetasit Gerlind Almet Mucaj nga Vlora.
Prokuroria pasi mblodhi të gjithë dokumentet dhe faktet kërkoi arrestimin e topografit, por edhe sekuestrimin e të gjithë pronave që u përfituan pa të drejtë e që më pas u shitën. Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh kur zyrtarë të emëruar me mbështetje politike në institucionet shtetërore të qarkut Vlorë janë përfshirë në falsifikim dhe vjedhje tokash në Dhërmi.
Top Channel