Konferenca e përbashkët me homologun holandez/ Rama: Ju desh të fitonte 4 palë zgjedhje që të vinte në Shqipëri

10/11/2021 13:07

Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar konferencën e përbashkët me kryeministrin holandez, Mark Rute.

Teksa e quajti këtë moment shumë të veçantë për Shqipërinë, me nota humori Rama tha se homologut të tij iu desh të fitonte 4 palë zgjedhje që më pas të vizitonte vendin tonë. Rama theksoi se tashmë Holanda është një mbështetëse e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

“Të gjitha vizitat e miqve dhe partnerëve tanë në Tiranë janë momente të veçanta, por pa ekzagjerim do thosha që ky është shumë i veçantë. Sot kryeministri Mark Rute është në Tiranë, ju desh të fitonte 4 palë zgjedhje që të vinte në Shqipëri dhe është kënaqësi sepse kjo ndodh edhe në një moment shumë pozitiv në marrëdhëniet tona. Kur siç e dini Holanda e ka mbështetur hapur hedhjen e hapit të mëtejshëm për Shqipërinë dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo marrëdhënie shkon përtej BE-së. Ne kremtuam 50 vite marrëdhënie diplomatike vitin e shkuar me Holandën. Kemi një marrëdhënie pune shumë pozitive dhe impakti i Holandës në Shqipëri rritet vit pas viti, përmes projekteve të përbashkëta dhe mbështetjes që marrim për këto projekte përmes ambasadës së saj në Tiranë dhe përmes rritjes së pranisë të biznesit holandez ne Shqipëri”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA