Kreu i Komisionit Hetimor për 25 prillin, Enkelejd Alibeaj këtë të mërkurë deklaroi se asnjë institucion shtetëror që i është dërgur për kërkesë informacion për zgjedhjet nuk ka kthyer përgjigje.
“61 kërkesa drejtuar bashkive që u kemi kërkuar informacion, kërkesat drejtuar SPAK, drejtorisë së Policisë së Shtetit, 12 kërkesa drejtuar inspektoriateve, Kadastrës, 12 ministrive, kërkesa drejtuar gjendjes civile, 4 kërkesa drejtuar OSHE, KESH, Posta Shqiptare dhe SHISH, fatkeqësisht konstatoj se nuk ka kthyer dhe nuk ka denjuar askush që të kthejë asnjë përgjigje”, tha Alibeaj.
Ndërsa zv/kryetari i këtij Komisioni, Toni Gogu tha se ndjekim me të njëjtin interes dhe përgjegjshmëri, qoftë për mënyrën se si kërkojmë informacion dhe për këtë arsye gjëja e parë që duhet sqaruar është se kur janë nisur shkresat dhe në çfarë date kanë mbërritur në institucione, pasi jam i sigurt se gjithë ai informacion vuluminoz kërkon kohën e duhur.
“Ne jemi parlamentar dhe kemi një detyrë që të hetojmë në lidhje me provat që na vihen përpara. Kuptohet s’kemi arritur ende atje. Kështu që s’na takon që të gjykojmë veprimtarinë e institucioneve shtetërëore. Jam dakort me ju nëse konstatojmë që ka vonesa të qëllimshme, deri tani nuk ka një incidice të tillë”, tha Gogu.
Për Gazment Bardhin detyra e anëtarëve të këtij Komisioni nuk është të justifikojë asnjë nga institucionet shtetërore, pasi atyre u janë drejtuar kërkesat për informacion dhe duhet të vinin përgjigjet përkatëse.
“Komisioni Hetimor vepron mbi bazën e ligjit dhe secili prej titullarëve të këtyre institucioneve është i detyruar t’i përgjigjet Komisionit . Do duhet që edhe kjo mbledhje të shërbejë si një mundësi komunikimi me secilin prej tyre, pasi këtu nuk bëhet fjalë për dëshirë apo vullnet të lirë nëse i përgjigjesh apo jo Komisionit Hetimor. Secili prej titullarëve të institucionit ka përgjegjësinë për të sjellë përgjigjet në kohë dhe në afat. Në të kundërt do të kishim të bënim me një vepër penale, siç është ajo e shpërdorimit të detyrës. Unë nuk kam dijeni për kohën që kur janë nisur shkresat, por kjo vonesë nuk ka një justifikim”, tha Bardhi.
Anëtarja tjetër e këtij Komisioni Hetimor, Klotilda Bushka u bëri thirrje anëtarëve që të mos nxitohen për të dalë në përfundime të parakohshme pa verifikuar me sekretarinë faktet nëse shkresat e dërguara kanë mbërritur në kohë tek institucionet përkatëse.
“Unë i ftoj kolegët të ishin objektiv, pasi institucionet shtetërore janë të detyruar të kthejnë përgjigje brenda afatit për të gjitha kërkesat e këtij komisioni. Ama do duhet që para se paragjykojmë një institucion, të bëjmë një verifikim në sekretari. Kur janë nisur shkresat dhe si janë nisur ato, me postë apo dorazi dhe sa u është lënë afati. Pastaj ky afat që u kemi vendosur, fillon që nga dita që këto institucione marrin dijeni dhe duhet të pyesim nëse ky afat ka mbaruar”, tha Bushka.
Kryetari i këtij Komisioni tha se institucioneve shtetërore iu është lënë një afat pesë ditor, ndërsa të martën ishte edhe dita e fundit.
“Të gjitha kërkesat janë nënshkruar prej meje të enjten e javës së kaluar. Siç e kemi diskutuar të gjithë së bashku në atë mbledhje, afati i lënë të gjitha institucioneve zyrtare ka qenë pesë ditor. Ju e dini fare mirë për shkak të afateve të ngushta tre mujore të Komisionit Hetimor, edhe kërkesat për informacion drejtuar intitucioneve zyrtare publike janë pesë ditore. Dita e martë, dje, ka qenë edhe dita e fundit e afatit”, tha Alibeaj.
Alibeaj theksoi se 61 kërkesa për informacion i janë drejtuar bashkive, SPAK, drejtorisë së Policisë së Shtetit, 12 kërkesa drejtuar inspektoriateve, Kadastrës, 12 ministrive, kërkesa drejtuar gjendjes civile, 4 kërkesa drejtuar OSHE, KESH, Posta Shqiptare dhe SHISH, sipas tij, fatkeqësisht asnjë nga këto institucione nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
“Përballë një fakti të tillë për mos respektim të urdhërimeve të këtij Komisioni, që në fakt janë urdhërime të ligjit, unë jam i detyruar të ribëj në një njoftim për secilin prej këtyre institucioneve, por bashkë me të, edhe për t’i paralajmëruar për kallëzim penal, për shpërdorim detyre secilin prej drejtuesve të këtyre institucioneve”, tha Alibeaj.
Top Channel