
Gjykata e Krujës la në burg pa afat Saimir Kuçin, i arrestuar si një nga autorët e dyshuar për grabitjen e biznesmenit Nazmi Çangu në banesën e tij në Nikël.
Kuçi është identifikuar nga ADN-ja e fijeve të flokut në kapelen që policia sekuestroi në vendngjarje, si dhe provat e tjera të mbledhura aty. Burimet tregojnë se autori është me origjinë nga Laçi dhe jeton në Tiranë.
Grabitja e Çangut ndodhi në orët e para të 24 tetorit. Autorët kanë hyrë nga pjesa e pasme e banesës duke prerë telat rrethues në dy vende të ndryshme.
Pasi kyçën në dy dhoma anëtarët e familjes, autorët dhunuan biznesmenin Nazmi Çangu duke i marrë atij në kasafortë vlera të shumta monetare, bizhuteri floriri, si dhe dokumenta me vlerë për të, që dëshmonin dhënien me fajde të parave kundrejt të tretëve. Në ikje e sipër grabitësit i morën edhe një armë gjahu Shotgan, që ai mbante në shtëpi.
Kuçi nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi është arrestuar edhe më parë për grabitje dhe vjedhjen e disa bizneseve në Durrës, Tiranë dhe zona të tjera të vendit.
Kuçi së bashku me 6 persona të tjerë dyshohen si pjesë e një grupi kriminal që ka kryer dhe të paktën 10 grabitje në vend.
Gjatë kontrollit të këtyre banesave, në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi më herët: 14 telefona, një palë pranga, armë të ftohta, lëndë narkotike, 1 bllokues valësh, pajisje elektronike, detektor për kërkim sendesh të çmuara, një maskë bashkë me doreza, ora të markave të ndryshme me vlerë, bizhuteri floriri, koleksion monedhash (60 monedha të vjetra të shteteve të ndryshme).
Top Channel