Ish-ministri i Financave: Ushtarët fantazmë hodhën në erë luftën kundër talibanëve në Afganistan

10/11/2021 17:07

Ish-ministri i financave i Afganistanit ka fajësuar për rënien e qeverisë zyrtarët e korruptuar të cilët sipas tij arritën të shpikin “ushtarë fantazmë”, duke marrë para edhe nga talibanët.

Khalid Payenda i tha BBC-së se pjesa më e madhe e 300 mijë trupave ushtarake në inventarët e ushtrisë nuk ekzistonin.

Ai tregoi se ky personel fantazmë u shtua në borderot zyrtare me qëllim që gjeneralët të merrnin pagesat e tyre.

Talibanët morën me shpejtësi kontrollin e Afganistanit në muajin gusht, pasi forcat amerikane u tërhoqën pas 20 vitesh.

Payenda, i cili dha dorëheqjen dhe u largua nga vendi ndërsa grupi islamik po përparonte, tha se të dhënat që tregonin se forcat e sigurisë ishin në numër më shumë se talibanët ishin të pasakta.

Ai tregoi se numrat mund të jenë zmadhuar më shumë se gjashtë herë, pa përfshirë në listë dezertimet dhe vrasjet, të cilat as këto nuk janë regjistruar kurrë, pasi disa nga komandantët morën kartat e tyre bankare dhe u tërhiqnin pagat.

Në një raport të vitit 2016 nga Inspektoriati i Përgjithshëm Special i SHBA-së për Rindërtimin e Afganistanit (Sigar), u deklarua se “as Shtetet e Bashkuara dhe as aleatët e tyre afganë nuk e dinë se sa ushtarë dhe policë afganë ekzistojnë në të vërtetë dhe sa janë të disponueshëm për detyrë”.

Sigar, ndër të tjera shprehu “shqetësime serioze në lidhje me efektet gërryese të korrupsionit dhe mbi saktësinë e të dhënave të forcës ushtarake në Afganistan”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA