Një incident i paprecedentë është regjistruar në sallën e shtypit të kryeministrisë, pas një konfrontimi verbal mes kreut të qeverisë greke Kyriakos Mitsotakis dhe një gazetareje holandeze, në konferencën për shtyp me homologun Mark Rutte që ndodhej për vizitë në Athinë.
Gazetarja holandeze dhe producente dokumentarësh Ingeborg Begel, prej dekadash korrespondente në Greqi për mediat holandeze, pasi ka marrë fjalën iu drejtua kryeministrit grek me fjalë shumë të ashpra për rastet e dëbimeve të paligjshme nga ana e Greqisë, të ashtuquajturat push backs , ndërsa e akuzoi si gënjeshtar dhe të pasinqertë që fyen inteligjencën e të gjithë gazetarëve në botë, duke thënë se qeveria greke shkel të drejtat e njeriut dhe kryen dëbime barbare.
Ajo ka pyetur edhe kryeministrin holandez Mark Rutte se çfarë sanksionesh mendon se duhet të vendosen ndaj Greqisë, por edhe ndaj Hollandës për këtë situatë.Pyetja e gazetares ka zemëruar kryeministrin grek, i cili u përgjigj duke thënë se nuk do të toleronte një fyerje të tillë, duke hedhur poshtë akuzat e saj.
Konkretisht kur gazetarja mori fjalën ju drejtua Kyriakos Mitsotakis në anglisht:
“Kur do të ndaloni më në fund së gënjyeri? Gënjeshtra për deportimet, gënjeshtra për atë që po ndodh me refugjatët në Greqi, ju lutem mos fyeni si inteligjencën time ashtu edhe te gazetarëve të tjerë në botë, pasi ka prova për të cilat ju insistoni t’i mohoni dhe gënjeni. Kjo është si një abuzim narcisist. Pse nuk jeni i sinqertë? Pse nuk thoni që Brukseli na la të vetem, pritëm gjashtë vjet, askush nuk bëri asgjë dhe tani bëjmë deportime të ashpra barbare? Pse ndaluat së trokituri në derën e Brukselit?
Pasi dëgjoi pyetjen, Kyriakos Mitsotakis iu përgjigj gazetares duke mos e fshehur acarimin e tij:
“Unë e kuptoj që në Holandë ju keni një traditë për t’u bërë pyetje të drejtpërdrejta politikanëve, diçka që unë e respektoj shumë. Ajo që nuk do të pranoj është që në këtë zyrë të më shani mua ose popullin grek me akuza dhe shprehje që nuk mbështeten në faktet reale, kur ky vend po përballet me një krizë të paprecedentë refugjatësh, shpëton qindra, në mos mijëra njerëz në det. Sapo shpëtuam 250 persona që ishin në rrezik të mbyteshin në jug të Kretës, këtë e bëjmë çdo ditë, shpëtojmë njerëz në det, ndërsa në të njëjtën kohë, po pengojmë varkat që vijnë nga Turqia, diçka që është e drejta jonë e bazuar në legjislacionin evropian dhe presim që roja bregdetare turke të vijë, t’i mbledhë dhe t’i kthejë në Turqi. Prandaj, në vend që të fajësoni Greqinë, duhet të fajësoni ata që instrumentalizojnë sistematikisht krizën migratore, duke i shtyrë njerëzit në situata të dëshpëruara nga një vend i sigurt, sepse ju kujtoj se ata në Turqi nuk janë në rrezik.
Vërini fajin të tjerëve dhe jo neve. Ne kemi një politikë të ashpër, por të drejtë emigracioni. Ju lutem, po flas unë tani mos më ndërprisni. Jeta e tyre nuk është në rrezik, ju duhet të fajësoni ata, jo ne. Në Greqi kanë ardhur 50 mijë persona nga të cilët 10 mijë janë afganë të cilëve u është dhënë azil. A keni qenë ndonjëherë në Samos? Jo, nuk keni shkuar. Nuk duhet të vinit këtu në këtë ndërtesë për të më sharë. Nëse shkoni në Samos do të gjeni një strukturë shumë të mirë me kushte higjienike, kënde lojërash dhe nuk ka lidhje me atë që kishim në të kaluarën. Nuk lejoj askënd të drejtojë gishtin nga kjo qeveri dhe të më akuzojë edhe mua.”
Top Channel