Durrës, gjyqi për masakrën e Iranit/ Të afërmit e viktimave të vitit 1988 dëshmojnë para gjykatësve suedezë

10/11/2021 15:18

Në gjykatën e Durrësit për herë të parë palët ndërgjygjëse nuk do të jenë shqiptare.

Një trup gjykues nga Suedia ka mbërritur në Shqipëri për të marrë dëshmitë e 7 shtetasve iranianë në kuadër të gjyqit të nisur në Stokholm më 10 gusht të këtij viti ndaj një prej zyrtarëve të regjimit iranian i cili akuzohet si një nga ekzekutuesit e masakrës së vitit 1988 në Iran.

Mbi 30 mijë të burgosur politikë u ekzekutuan pas gjyqeve të parregullta. I pandehuri Hamid Noury akuzohet për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Khadijeh Borhani: ”Jam shumë e lumtur që gjykata erdhi këtu në Shqipëri, pasi unë jam një nga paditëset e kriminelit Hamid Noury. 6 nga vëllezërit e mi u vranë nga regjimi kriminal iranian, ndaj ky gjyq pas afro 40 vjetësh më bën të lumtur. Unë kam dëshmuar më parë online për gjykatën. Më pas gjykata vendosi t’i marrë dëshmitë e tjera këtu duke vlerësuar rëndësinë e cceshtjes.”
Gjatë seancave që do të zgjasin deri më 19 nëntor, do të dëgjohen dëshmitë kycc të 7 dëshmitarëve okularë, anëtarë të opozitës iraniane, MEK dhe që jetojnë në kampin Ashraf 3 në Manëz të Durrësit.
Falë bashkëpunimit midis drejtësisë suedeze dhe asaj shqiptare, gjyqi u zhvendos në Durrës dhe përbën një rast unik me mjaft interes.
Sot, para gjykatës u paraqit Muhamed Reza Zand, që ka vuajtur për 11 vite në burgjet e regjimit iranian.

Gjatë seancës së parë gjyqësore një numër i madh të mbijetuarish, dëshmitarësh dhe familjarësh të viktimave të masakrës kanë pritur jashtë dyerve të gjykatës, ndërsa besojnë se për herë të parë drejtësia është vënë në lëvizje për të ndëshkuar ekzekutorët.

Muhammad Shafaei: ”Unë jam i vetmi i mbijetuar i familjes Shafaei. Regjimi ekzekutoi të gjithë familjen time. Gjykata erdhi këtu për të dëgjuar dëshmitë e të mbijetuarve pasi 30 mijë nuk janë më. Ky gjyq është një lajm i mirë për ne dhe shpresojmë që në një ditë të afërt të kthehemi në Iranin tonë, në demokraci.”

Në kampin Ashraf 3 jetojnë rreth 2800 iranianë, anëtarë të MEK, 1000 prej të cilëve ish-të burgosur politikë në Iran.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA