Përpara një takimi të pritshëm virtual me presidentin amerikan Joe Biden, presidenti kinez Xi Jingping deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të bashkëpunojë me SHBA-në, me kushtin që mes tyre të ketë respekt reciprok.
Këtë lloj termi, Pekini e përdor zakonisht kur kërkon më shumë favore komunikimi nga Shtetet e Bashkuara. “Në këto momente, marrëdhëniet SHBA-Kinë janë në një pikë kritike historike”, thotë Xi në një letër drejtuar Komitetit Kombëtar për marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve. “Secila palë do të fitonte nga bashkëpunimi, e do të humbiste nga përballja. Bashkëpunimi është zgjedhja e vetmja e drejtë”, ka shkruar ai.
Biden dhe Jingping pritet të zhvillojnë një takim virtual javën që vjen, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Në fillim të tetorit, CNBC raportoi se dy liderët e kishin planifikuar mbajtjen e një takimit të tillë përpara fundit të vitit. Letra vjen në kohën kur Xi pritet ta konsolidojë edhe më shumë fuqinë e tij në një takim politik të nivelit të lartë këtë javë në Pekin. Lideri kinez i ka përmbysur limitet e mandateve presidenciale, ç’ka i lejon tashmë që të qëndrojë në pushtet edhe pas dy mandateve.
Tensionet mes SHBA-se dhe Kinës janë përshkallëzuar ndjeshëm vitet e fundit, dhe Washingtoni u zotua për të parën herë të ndërhyjë në një konflikt për mbrojtjen e Tajvanit, nëse sulmohet nga Kina.
Top Channel