Brenda pak ditësh në Vlorë arrestohet një tjetër zyrtar lokal me akuzën e falsifikimit me qëllim vjedhjen e tokave në bregdetin e Dhërmiut.
Prokuroria ka kapur topografin e bashkisë Himarë i cili kishte falsifikuar dokumentat për të marrë në emër të tij 7.700 metra tokë në Dhërmi e më pas i ka shitur. Prokuroria sekuestroi gjithë pronat.
Topografi i Bashkisë së Hiramës u arrestua me urdhër të prokurorit të Vlorës Aurel Zarka pasi akuzohet për falsifikim të dokumenteve shtetërore dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Elton Marko, topograf brenda një kohe të shkurtër sajoji dokumentat në emër të bashkisë ku punonte, falsifikoi firmat e kryebashkiakut dhe drejtuesit të sektorit të pronave për një sipërfaqe toke prej 7.700 metrash e më pas i dorëzoi vetë nëpërmjet postës në Hipotekën e Vlorës për t’i regjistruar.
Prokurori ka pyetur kryebashkiakun Gogo dhe drejtuesit e administratës në Himarës të cilët sqaruan se firmat e tyre ishin falsifikuar dhe se dokumentat nuk kishin dalë zyrtarisht nga bashkia e Himarës.
Për të evituar zbulimin topografi Elton Marko, i paraqiti vetë në hipotekë dokumentat e më pas i kërkoi hipotekës që ti jepte dëshminë e pronësisë në emër të tij dhe të së motrës. Menjëherë pas këtij akti ai e ka shitur tokën shtetasit Gerlind Almet Mucaj nga Vlora.
Prokuroria pasi mblodhi të gjithë dokumentat dhe faktet kërkoi arrestimin e topografit por edhe sekuestrimin e të gjithë pronave që u përfituan pa të drejtë e që më pas u shitën. Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh kur zyrtarë të emëruar me mbështetje politike në institucionet shtetërore të qarkut Vlorë janë përfshirë në falsifikim dhe vjedhje tokash në Dhërmi.
Top Channel