Në përballjen e parë me deputetët e opozitës në Komisionin e Ligjeve kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë thirrje që bojkotimi i projekteve për zhvillimin e qytetit të ngelen diçka e së shkuarës:
“Koha kur deputetët merren me punët lokale duhet të marrë fund. Bllokimi Astirit, bllokimi i Pazarit, bllokimi i Liqenit, bllokimi Kalasë, bllokimi Bregut të Lumit, Bulevardi i Ri – pyesni çunin e Fahriut, që s’e keni më mes jush. Shikojeni sheshin “Shqiponja” sot, shikojeni Astirin sot, që puna po bëhet dhe që trafiku është liruar aty, kjo nuk diskutohet fare. Pyetja është: tre vitet që humbëm me bllokimet tuaja, kush na i kthen pas?! Nëse doni të nisni procese ligjore, shkoni në gjykatë, por djegia e gomave nuk është proces ligjor”.
Veliaj në komisionin e ligjeve u shpreh edhe për situatën e transportit urban, duke theksuar se do të hiqet TVSH-për biletat e autobusëve dhe se nuk do të ketë rritje çmimesh:
“Transporti publik është sot i pa balancuar për shkak të nivelit të tregut dhe çmimit të naftës. Një propozim që kemi, bashkë me qeverinë, është të heqim TVSH-në e biletës. Po ashtu, një tjetër propozim mund të jetë rimbursim i TVSH apo akcizës së naftës. Kemi një paketë instrumentesh, që të bëhet i arsyeshëm menaxhimi i transportit publik, i cili sot është në prag të kolapsit”.
Një tjetër temë që u prek në komision ishte ajo e menaxhimit të mbetjeve urbane. Veliaj u shpreh se është dakordësuar me qeverinë për subvencionimin e kostove:
“Kemi dakordësuar me qeverinë një plan, sidomos për subvencionin që vjen për menaxhimin e mbetjeve për zonat e mëdha urbane apo zonat bregdetare që kanë një intensitet të posaçëm, sidomos në tre muajt e verës, apo shumë zona të tjera bregdetare që kanë nevojë që t’ju miratohet ky subvencion. Disa prej tyre do jenë në aktin normativ, le të themi me mbetjet e këtij viti, disa të tjera do jenë në buxhetin e natyrshëm të shtetit”.
Top Channel