Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, teksa bëri të ditur rastin e parë që po shqyrtohej në strukturën antikorrupsion, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos heshtin, por të denoncojnë shkeljet që hasin nga zyrtarët shtetërorë.
Ai theksoi i bëri me dije zyrtarëve nga veriu në jug se tashmë vëzhgohen nga qytetarët dhe duhet ta bëjnë si duhet punën e tyre, ndërsa qytetarëve u kërkoi që të mos nënshtrohen, pasi i siguroi se do ti mundin ‘shushunjat’.
“Kam një thirrje shumë të sinqertë për të gjithë qytetarët. Mos u nënshtroni, na vini në provë, na sfidoni me zërin tuaj dhe nëse ne nuk do tu përgjigjemi atëherë ju keni të drejtë të ktheheni te ankesat, kritikat, qarjet, mallkimet, pasi jua kanë marrë lekët. Jua bëj thirrjen qytetarëve që ankohen për mjekët, hipotekën, legalizimet, pyjet, mjedisin, faturat, policinë dhe çdo lloj inspektori në territor. Kjo është një betejë që ne mund ta fitojmë, por nuk e fitojmë dot pa qytetarët.
Duhet të jemi bashkë sepse halli i njërit prej jush sot bëhet edhe halli i tjetrit dhe këto shushunja, këta taxhim ymer që kërkojnë bekajete dhe fryhen me vulën e shtetit e me punën e djersën e gjakun tuaj, unë jam i bindur që mund t’ia dalim t’i mposhtim. Në platformën e bashkëqeverisjes keni mundësinë që me një klik të na njoftoni dhe ne e ruajmë deri në fund identitetin tuaj. Do ta falënderoj sot atë qytetar që dosja është gati dhe po e dërgoj në Prokurori. E nëse do ma lejojë do bëj një foto me të ditën që drejtësia do të thotë fjalën e saj.
Nga sot çdo zyrtar duhet ta dijë se qytetarët kanë një zë të tyrin dhe që i kontrollojnë veprimtarinë dhe shërbimet që i kërkojnë direkt nga telefoni. Detyra jonë si njësi anti-korrupsion është t’i çojmë deri në fund këto raste”, u shpreh ministri Manja.
Top Channel