Policia e Durrësit

Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë pasi i kanë kushtuar vendit dëm ekonomik që kap vlerën rreth 6 milionë euro duke krijuar skema mashtrimi me TVSH-të.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata krijuan shoqëri fiktive, me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohë që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera të padeklaruara në organet tatimore.

Produktet janë blerë pa dokumente tatimore  dhe punimet janë kryer nga punonjës të paregjistruar dhe të padeklaruar në organet tatimore.

Nga ky aktivitet kriminal i skemave mashtruese me TVSH-të, autorët, nëpërmjet subjekteve fiktive, nga mospagimi i detyrimeve tatimore në shuma të mëdha, i kanë shkaktuar vendit dëm ekonomik që kap vlerën e rreth 6 milionë eurove.

Nga operacioni i koduar “Skema” u arrestuan Enis Xhaferi 38 vjeç, Regan Merdani, 30 vjeç, Roland Avdo, 39 vjeç, Ali Agolli, 45 vjeç dhe Ben Caka, 48 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Janë sekuestruar:

-Një shoqëri e quajtur “Alfa Nikel”;

-Një hidrocentral, së bashku me sipërfaqen e truallit 700m², ku ishte ndërtuar, në Dhërmi;

-Një apartament me sipërfaqe 215 m².

Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të arrestuarve, u gjet dhe u sekuestrua një kasë fiskale, e cila dyshohet se është përdorur për prodhimin e faturave fiktive.

“Operacioni i zhvilluar nga strukturat e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe strukturat e DVP Tiranë dhe Vlorë. Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg” për 5 shtetas.  Vendoset sekuestro preventive për disa prona që arrijnë vlerën 2 milion euro.

Hetuesit financiarë, në vijim të punës gjurmuese për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, kishin dërguar materiale hetimore paraprake në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila kishte regjistruar procedimin penal për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, sipas policisë.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për kapjen e personave të tjerë të implikuar, si dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të përfituara nga ky aktivitet kriminal.

Kujtojmë se përmes një aksioni të befasishëm SPAK këtë të martë kontrolloi në disa banesa dhe persona të dyshuar si të implikuar në tjetërsimin e pronave në Durrës.

Burimet tregojnë se bëhet fjalë për një hetim të regjistruar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda në 2019 dhe hetimet po vazhdojnë aktualisht nga SPAK, i cili gjatë tetorit ka marrë leje në Gjykatë për kontrolle dhe sekuestrimin e 190 mijë metrave katror tokë, që nga hetimet e deritanishme rezultojnë të tjetërsuara.

Hetimi është duke u kryer për “Korrupsion pasive dhe aktive”, “Shpërdorim detyre” “Falsifikim dokumentesh” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA