Në prezantimin e projektbuxhetit 2022, kryeministri Edi Rama nuk preferoi të flasë me shifra konkrete, por për prioritetet e mandatit të ri për rendin publik.
Rama tha se tre prioritetet bazë janë lufta ndaj krimit, siguria rrugore bashkë me krimin mjedisor dhe përmirësimi i standardeve.
“Prioritete e këtij mandati janë piketat e vendosura në çdo hap që ne hedhim. Lufta kundër krimit është prioriteti i prioriteteve, përfshirë të gjitha aspekte e saj dhe është një front ku është bërë progres i dukshëm, por ku ka ende shumë për të bërë dhe ku posaçërisht ndjehet ende mungesa e të njëjtit efikasitet, siç psh, ka pasur operacioni forca e ligjit apo në tërësi kjo pjesë e organizimit policor te lufta kundër krimit financiar, ekonomik. Aty është e domosdoshme të vendosen më shumë forca, të përqendrohet më shumë vëmendja dhe të krijohen kushtet për të arritur të njëjtat rezultate si me gjithë pjesën tjetër”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se prioritet i dytë është ngritja në një nivel sigurie më të lartë e gjithë qarkullimit rrugor e paralelisht me të, vendosja e një kontrolli absolut mbi territorin shqiptar.
“Ngritja në një nivel sigurie më të larët e gjithë e qarkullimit rrugor dhe paralelisht me këtë vendosja e një kontrolli absolut mbi territorin e Shqipërisë, jo vetëm mbi aspektin e veprimtarisë kriminale, apo shkeljes së ligjit, por veprimtarinë kriminale dhe shkeljen e ligjit që kanë të bëjnë me vetë Shqipërinë, territorin, me trupin e mrekullueshëm të këtij vendi që dora e robit e ka kthyer rëndom në një ferr për banorët e vet. E patolerueshme të ndodhin para syve të policisë, krime në mjedis. E patolerueshme që efikasiteti më i lartë në krimet në mjedis të jetë në format e gjobave për njerëzit në fshatrat e thellë që ngrenë një avlli dhe jo ndaj atyre që hedhin beton në plazh, tha ai.
Kryeministri u krenua me nivelin e meritokracisë që sipas tij është një arritje shumë e madhe në vitet e fundit për policinë në vend.
“Rekrutimi në policinë e shtetit tashmë kalon vetëm përmes rrugës së meritës. Tani është qe qartë se partia në pushtet, ministrat e saj, deputetët e saj nuk kanë më asnjë fuqi që të fusin një njeri në polici thjesht për hatër. Është rritur cilësia e punës së SHBÇBA, që me ligjin e ri bëhet edhe më e rëndësishme. Puna e bërë dhe rezultatet e arritura dhe mesazhi i dhënë nga ky shërbim se këtu nuk ka të paprekshëm dhe se këtu gjithkush që shkel uniformën përballet me ligjin, na e bëjnë të ardhmen e afërt shumë inkurajuese. Nga ana tjetër kemi aspektin e rëndësishëm të vlerësimit të vazhdueshëm të meritës edhe brenda për brenda”, tha Rama.
Krijimi i Qendrës për Krimin Kibernetik
Rama tha se do të ngrihet qendra e re kundër krimit kibernetik si dhe do të shtohen programe të tilla edhe në Akademinë e Shkencave që vendi të ecë para në këtë fushë.
“Domosdoshmëria për rritjen e cilësisë në Akademinë e Sigurisë, ka ende shumë punë për të bërë. Policia e Shtetit ka të gjithë flotën në funksion të plotë dhe të modernizuar dhe vit pas viti mund të shtojë lehtësisht mjete të tjera. Që Akademinë e Sigurisë ta bëjmë më atraktive do të fusim edhe programin kundër krimit financiar dhe kibernetik. Një tjetër investim i rëndësishëm që do të përdoret nga disa entitete dhe policia dhe ministria e brendshme do të jetë një nga identitet kryesore që do e përdorin është qendra e re që do përdoren nga kundër krimit kibernetik”, tha Rama
Imazhi i Policisë së Shtetit
Kryeministri Rama është shprehur se do të ulin edhe më shumë moshën e policisë dhe se ata që kanë një moshë të caktuar do të spostohen me të njëjtin status në Illyrian Guard, një institucion në varësi të Ministrisë së Brendshme.
“Është ulur mosha e policisë së shtetit, por duhet ulur edhe më shumë. Duhet rishikuar raporti mes policisë së shtetit dhe Illyrian Guard duke vendosur në dispozicion të tyre bashkëpunim që në një moshë të caktuar efektivët pa e humbur statusin të spostohen për të bërë një punë më të lehtë në Illyrian Guard në varësi të Ministrisë së Brendshme”, tha ai.
Kryeministri Rama është ndalur po ashtu edhe në rastin e keqtrajtimit e gazetares Anila Hoxha, nga ana e një efektivi të policisë.
“Polici që keqtrajtoi gazetaren hedh hije mbi gjithë punën e bërë deri tani. Rast fatkeq. Çdo punonjës i policisë, nuk e meriton që në imazhin e uniformës që ai apo ajo veshin, të ketë të tilla stërkala balte që vijnë nga shkelja e patolerueshme e sjelljes së një punonjësi”, theksoi ai.
Po ashtu, kryeministri e mbështeti veprimin e shpejtë të ndërmarrë nga strukturat policore.
“Është me rëndësi jo vetëm që të veprohet si rregull me shpejtësi dhe pa tolerancë, por edhe të ketë vijimësi të theksohet nga drejtuesit”, tha ai.
Një veprim i tillë u dënua edhe nga ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi pas ngjarjes.
Buxheti i ri
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano u tregua mirënjohës për parashikimet e buxhetit të ri 2022 nga Këshilli i Ministrave, i cili sipas tij garanton të gjithë shtesat e pagave, të cilat shkojnë për policët.
Në bazë të projektbuxhetit, do të jenë rreth 200 milionë lekë më shumë, të cilat shkojnë për shpenzimet e personelit. Prej tyre, punonjësit e Policisë larg vendbanimeve, përfitojnë rritje page në masën 150%. Një pjesë e madhe e shpenzimeve, si ato për uniformat, karburant apo mirëmbajtja e pajisjeve është cilësuar si kyçe nga Nano.
Top Channel