Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro këtë të martë është shprehur se pas pesë vitesh investim, Programi i Rilindjes Urbane, ka filluar të japë efektet e saj në ekonomi.
Në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ministrja Kumbaro tha se ky program fillimisht u perceptua si një program kombëtar thjesht me ndërhyrje urbane, por sipas saj, sot është një program që po prodhon turizëm dhe destinacione të reja turistike, si për turizmin e brendshëm po ashtu edhe për atë të huaj.
Në fjalën e saj, Kumbaro theksoi se ajo çfarë është interesante në lidhje me turizmin në Shqipëri, është interesi në rritje për turizmin rural, një turizëm që po shoqërohet me investime në ujësjellës dhe në mirëmbajtje rrugësh rurale, por edhe në nxitje të produkteve BIO, të produkteve bujqësore apo blegtorale që shkojnë përtej konsumit të brendshëm të popullsisë rurale, shkojnë përtej interesit për t’i shitur për tregun urban dhe po formohen çdo ditë e më shumë si produkte BIO agro-turistike.
Ministrja theksoi se edhe numri i huaj i turistëve në vendin tonë ka ardhur duke u rritur, sipas saj, në periudhën janar-shtator të vitit 2014 kishim 5 milionë e 462 mijë turistë të huaj; janar-shtator 2020 kishim 2 milionë e 122 mijë turistë të huaj, po të njëjtën periudhë të këtij viti kemi regjistruar 4 milionë e 478 mijë turistë të huaj edhe pse sezoni turistik vijon deri në muajin dhjetor.
Top Channel