Pjesë e grupit që falsifikonte dokumentet e pronave në Dhërmi, arrestohet inxhinieri i Bashkisë së Himarës (EMRI)

09/11/2021 09:15

Rreth dy muaj më parë, në shtator të këtij viti, në zyrat e këshillit të qarkut në Vlorë u vodhën dy dosje për pronat në Dhërmi. Por rezultoi se e gjithë ngjarja ishte inskenuar nga Drejtori i administrimit e mbrojtjes së tokës, Bardhyl Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe një 51-vjeçar i identifikuar si Spiro Duni.

Ndërkohë sot burime të sigurta për gazetaren Anila Hoxha bëjnë me dije se një tjetër arrestim është bërë në kuadrin e falsifikimit të dokumenteve të tokave në Dhërmi dhe Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar sekuestrimin e këtyre pasurive.

Mësohet se më urdhër të Prokurorisë është ndaluar shtetasi me detyrë inxhinier Elton Marko. Marko është punonjës i Bashkisë Himarë dhe punon si inxhinier topograf pranë kësaj Bashkie dhe është marrë nën hetim për falsifikim dhe pastrim parash nga Prokuroria e Vlorës.

Inxhinieri Elton Marko, në 23 prill 2021, ka regjistruar në ASHK-në Vlorë pasuritë hipotekore 307-308-309, ZK.1481, fshati Dhërmi, nën pronësinë e familjarëve të tij, Arqile Marko, Mimoza Marko, Elton Marko dhe Larisa Marko, për pasurinë e llojit “ullishte” dhe “arrë”.

“Nga aktet hetimore provohet se i dyshuari shtetasi Elton Marko, ka falsifikuar dokumentet e pronësisë AMTP-të,  aktet me numër 305,306 dhe 307, datë 30.11.2017, si dhe shkresën nr. 731/1 prot, datë 09.03.2021, të Bashkisë Himarë, Drejtoria e Manaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Pyjeve dhe Kullotave, shkresë me  të cilën dokumentet janë bërë hyrje pranë institucionit Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë dhe ka përdorur mekanizmin e dërgimit të shkresës të falsifikuar dhe dokumenteve të falsifikuara nëpërmjet shërbimit postar”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Top Channel.

Nga analiza e provave të deritanishme të marra në fazën e hetimit paraprak, rezulton se ka dyshime të bazuara në prova se inxhinieri Elton Marko ka kryer veprat penale “Falsifikim të dokumenteve”’ dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 186 dhe 287 të K.Penal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA