Opozita braktis mbledhjen në Këshillin e Legjislacionit/ Ekspertët mbështesin zgjatjen e afateve të vetingut

09/11/2021 15:25

Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit, ku po diskutohet propozimi i Partisë Socialiste për disa ndryshime kushtetuese për zgjatjen e afateve të vettingut është braktisur për të tretën herë nga Opozita. Pavarësisht mungesës së opozitës, maxhoranca ka vijuar me mbledhjen duke dëgjuar ekspertët.

Në fjalën e saj konstitucionalistja Zhaklina Peto u shpreh se “duhet patjetër shtyrja e afateve të vetingut” duke theksuar se Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk mund të kryejnë këtë proces pasi janë dhe në konflikt interesi.

Ndërsa juristi Fabian Topollaj tha se nevojitet zgjatja e afateve pasi “procesi i vetingut është më i besueshëm nëse bëhet nga KPK dhe KPA “për shkak se këto institucione janë votuar pa objeksione nga opozita parlamentare e asaj kohe, ndërsa formimi i KLGJ ka qenë i kontestuar”.

Edhe pse mbledhja e fundit e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me debate të shumta mes socialistëve, pyetjet drejtuar Komisionit të Venecias për ndryshime kushtetuese për zgjatjen e afateve të institucioneve të vettingut janë nisur.

Pavarësisht mungesës së opozitës, maxhoranca ka vijuar me debate brenda vetes. Kuvendi në përfundim vendosi me shumicë votash që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për opinion. Gjatë votimit, Xhafaj abstenoi dhe u shpreh se i qëndron deklaratave të bëra në mbledhjen e parë të këshillit.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për shtyrjen e afatit të organeve të Vettingut. Socialistët kërkojnë që zgjatja e mandatit të jetë deri në 31 dhjetor të 2024, pra me 2 vite e gjysmë. Ndërkohë, organeve të Vetingut i përfundon mandati në qershor të vitit 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA