Obama kritikon Rusinë dhe Kinën për “mungesë të urgjencës” për klimën

09/11/2021 10:00

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka kritikuar Kinën dhe Rusinë për “mungesë të rrezikshme të urgjencës” për të zvogëluar emetimet e tyre të karbonit.

Duke folur në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën, që po mbahet në Glasgou, Obama ka thënë se është “dekurajuese” që presidenti kinez, Xi Jinping dhe ai rus, Vladimir Putin, kanë vendosur të mos jenë pjesë e organizimit.

“Planet e tyre kombëtare reflektojnë atë që duket se është mungesë e rrezikshme e urgjencës dhe gatishmërisë për të ruajtur status quo-në nga ana e qeverive të tyre, dhe kjo është e turpshme”, ka thënë Obama.

Obama, i cili ka udhëhequr Shtetet e Bashkuara në periudhën 2009-17, ka qenë në mesin e liderëve që i ka hapur rrugën Marrëveshjes së Parisit për Klimën më 2015, sipas së cilës, liderët botërorë janë pajtuar për të zvogëluar emetimet e gazrave serrë në mënyrë që temperatura globale të mos shkojë mbi 1.5 gradë Celsius.

Gjatë fjalimit të tij, Obama u ka bërë thirrje shteteve që të bëjnë të ditur hapa më konkretë dhe ta zbatojnë Marrëveshjen e vitit 2015.

“Nuk jemi as afër vendit ku duhet të jemi”, i ka thënë Obama audiencës.

Ai e ka pranuar se me raste edhe dyshon që njerëzimi “mund të bëhet bashkë para se të jetë shumë vonë”, mirëpo ka thënë se bota nuk mund ta përballojë “mungesën e shpresës”.

Konferenca e OKB-së, e cila do të përfundojë më 12 nëntor, nuk ka përmbushur ende synimet kyçe, përfshirë zotimet për të zvogëluar përgjysmë emetimet deri më 2030 dhe për të mbledhur 100 miliardë dollarë çdo vit nga shtetet e pasura për t’iu ndihmuar shteteve të varfra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA