Shtëpia e drejtorit të shkollës Zejmen në Lezhë është tentuar të grabitet mëngjesin e ditës së sotme.
Burime për “Top Channel” bëjnë me dije se kanë qenë dy të rinj ata që tentuan të grabisin banesën e tij, por në momentin e grabitjes hajdutët kanë dëgjuar një sirenë ambulance dhe janë larguar duke menduar se është policia.
Në ato momente janë pikasur nga i zoti i shtëpisë dhe një nga kolegët e tij, i cili ka bërë të mundur ndalimin e njërit nga autorëve.
Armen Zhejani është ndaluar nga kolegu i drejtorit, ndërsa ky i fundit mësohet se ka qenë i armatosur. Sa i përket bashkëpunëtorit të tij ai ka arritur që të largohet në drejtim të paditur.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe policia e Lezhës, e cila bën me dije se autori 23 vjeçar është arrestuar, ndërsa vijojnë kontrollet intensive për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit tjetër.
“Shërbimet e Policisë Lezhë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zejmen, Lezhë, 2 shtetas kishin hyrë për të vjedhur në banesën e shtetasit Z. Th., kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Falë veprimeve të shpejta dhe informacioneve të dhëna nga banorët, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin, kapjen dhe vënien në pranga të njërit nga autorët e tentativës për të vjedhur, shtetasin A. Zh.
Ky shtetas, sapo ka konstatuar punonjësit e Policisë, ka tentuar ta fshehë duke e hedhur mes shkurreve, armën e zjarrit tip pistoletë me krehër me fishekë, e cila u bllokua dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë benë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Zh., 23 vjeç, banues në Lezhë.
Shërbimet e Policisë Lezhë vijojnë kontrollet intensive për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit tjetër”, njofton policia.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vjedhja, e mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Top Channel