Për ish sekretarin e Përgjithshëm në detyrë të NATO-s, Alessandro Minuto-Rizzo, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka rëndësi kyce për Ballkanin. Por që kjo të arrihet sipas tij, pikënisja duhet të jetë vendosja e normalitetit në rajon që nis me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Në një intervistë për KosovaPress, Minuto-Rizzo u shpreh se ngjarjet e fundit, ato të tensioneve në veri pas vendosjes së reciprocitetit për targa, përcjellin sinjalin se marrëdhënia mes Kosovës e Serbisë është larg të qenit normale.
“Arritja e këtij normaliteti është prioritet. Mendoj se është e rëndësishme që institucionet euroatlantike dhe vendet mike të përfshihen më shumë në këtë proces, në mënyrë që të ndikojnë që palët të arrijnë kompromise të mira në interes të të gjithëve. Pikat e nisjes duhet të jenë njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës dhe – në anën tjetër – njohja e pakicave serbe; ata duhet të konsiderohen qytetarë të plotë, me mbrojtje të plotë. Nëse dy aktorët kryesorë qëndrojnë vetëm në mosmarrëveshjet e tyre, përparimi mbetet i vështirë”.
Minuto-Rizzo theksoi se destinacioni përfundimtar i Ballkanit Perëndimor është integrimi në Bashkimin Europian.
Sa i përket ndryshimit të administratës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndryshimin ai e konsideron një zhvillim të mirë e thotë se SHBA-ja është aleate me BE-në në rajon, pasi të dyja po ndjekin të njëjtin drejtim.
Top Channel