Anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, takoi të martën në Ankara presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Sipas ueb-faqes zyrtare të presidentit turk, dy zyrtarët patën një drekë pune.
Detajet e takimit nga zyra e presidentit turk nuk u bënë të ditura.
Dodik tha për Radion Republika Sërpska se “ata janë pajtuar se paqja nuk ka alternativë”.
“Kërcënimi me forcë nuk mund të zgjidhë asnjë problem. Të tjerët e kanë imponuar atë temë. Erdogan është i njoftuar me situatën në Bosnje dhe kjo ka qenë një mundësi për t’ia paraqitur atë nga këndvështrimi ynë. Kërkojmë mirëkuptim për proceset politike”, tha Dodik.
Dodik njoftoi për vizitën e tij në Ankara të hënën, pas takimit që zhvilloi me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar qëndroi për vizitë në Bosnje në kohën kur ky vend është përfshirë nga kriza politike, pasi përfaqësuesit e Republikës Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe – nuk janë duke marrë pjesë në punën e institucioneve shtetërore.
Top Channel