“Partia në pushtet dhe deputetët e saj, ministrat, nuk kanë më asnjë fuqi që të fusin njeri në polici, thjeshtë për hatër”, kështu iu drejtua në përfundim të fjalës së tij kryeministri Edi Rama, punonjësve të Policisë së Shtetit, ndërsa nuk la pa vlerësuar edhe rolin e tyre në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend.
Rama tha se do sigurojë deri në fund që ata të ndihen të respektuar dhe mbështetur, ndërsa shtoi se ky shtet i çmon si një kapital shumë i rëndësishëm njerëzor.
“Përpjekja jonë ka qenë që ju të ndjeheni sa më të respektuar dhe mbështetur. Dua t’ju siguroj që deri në fund do të bëjmë gjithçka mundemi që ju të ndjeheni edhe më të respektuar dhe mbështetur. Që të jeni jo vetëm të motivuar sepse bëni një punë të vështirë që është edhe një vokacion individual, por të jeni edhe më të motivuar që në vijimësi ta ndjeni se ky shtet ju çmon si një kapital shumë të rëndësishëm njerëzor, të pazëvendësueshëm dhe do bëjmë çmos që vlera e këtij kapitali të rritet. Për këtë do të jemi pranë jush me të gjitha mjetet.
Më vjen mirë që kemi arritur dy gjëra të rëndësishme: rekrutimi në Policinë e Shtetit të mos kalojë përmes rrugëve që kalonte më parë, por të kalojë përmes meritës. Nuk mund të them se nuk ka raste kur kjo rrugë anashkalohet por në tërësinë e rasteve partia në pushtet dhe deputetët e saj, ministrat, nuk kanë më asnjë fuqi që të fusin njeri në polici, thjeshtë për hatër”, tha Rama.
Top Channel