Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur në Komisionin për çështjet ligjore në lidhje me problemet në transportin publik në kryeqytet.
Veliaj thotë se janë në prag të kolapsit, por në vend që të rrisim biletën do të heqin TVSH. Një tjetër propozim që kanë për menaxhimin e transportit publik është rimbursim i TVSH ose i akcizës së naftës.
Kryebashkiaku e theksoi se “di t’ju vij hakut” atyre që kryejnë shkelje me shitje abonesh false apo abonesh nëndorë, por di edhe të qaj hallin e industrisë që po ndikohet nga çmimet e energjisë dhe të naftës.
Veliaj: Kemi pasur një metamorfozë të 5-6 viteve të fundit. Ka disa anomali që kanë mbetur, ashtu siç janë disa gjëra që janë zgjidhur më mirë. Sot është një kryetar bashkie dhe nuk ekzistojnë ndasitë në nivelin makro.
Janë disa problem që janë specifike për Tiranën. Një pjesë e madhe e popullsisë së Kamzës, aktivitetin ekonomik dhe punësimin e kanë në Tiranë. Kur fillon universiteti, popullsia rritet me 10% që shtohet trafiku, mbeturinat, amortizimi, kështu që për disa arsye ka një mbingarkese të shërbimeve që ofron.
Një nga problematikat që kemi marrë ka të bëjë me cështjen e transportit publik. Nuk duam të rrisim çmimin, edhe pse çmimi sot në Kosovë është 50 cent, pra 70 lekë. Por një mënyrë dhe propozim që kemi është të heqim TVSH e biletës, pra në vend që të rrisë biletën me 20%, e rikuperojmë nga heqja e TVSH. Disa veprime të tjera mund të bëhen për TVSH e mjeteve të transportit publik. Një tjetër mund të jetë një rimbursim i TVSH ose i akcizës së naftës, pra kemi një paketë instrumentesh që të bëhet i arsyeshëm menaxhimi i transportit publik i cili është në prag të kolapsit. Di t’ju vij hakut atyre kur nuk e meritojnë, kur shesin bileta false, kur shesin abone nëndorë siç di të qaj hallin e një industrie që po afektohet sot nga çmimet e energjisë dhe naftës.
Top Channel