Kuvendi i është drejtuar Komisionit të Venecias me disa pyetje në lidhje me zgjatjen e afatit të komisioneve të vettingut në drejtësi.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se kushtet e krijuara, sollën nevojën për t’ju adresuar këtij komisioni.

Nuk është çështje politike dhe në këtë këndvështrim mendoj se jemi në kushtet e një nevoje emergjente që palët të bien dakord, si nevojë që sjell vetë ai sugjerim që kanë dhënë ekspertët”, tha ai.

Sipas tij, mazhoranca ka dëgjuar se çfarë ka ngritur opozita për çështjen dhe pyetjet për Komisionin e Venecias janë miratuar, në mënyrë që të shpëtohet sa më shumë kohë.

Balla mohoi se ka mosdakordësi nga socialistët në lidhje me këtë temë, nisur nga fakti se deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka abstenuar për vendimin nëse duhej të merrej apo jo një opinion nga Komisioni i Venecias.

Ai tha se Xhafaj ndan mendimin se para që të vendoset për zgjatjen e mandatit të KPK-së, duhet bërë një analizë se përse procesi u zvarrit.

Nuk ka mungesë dakordësie. Xhafa është një nga ata njerëz që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për miratimin e reformës në drejtësi. Kemi pasur një diskutim edhe së bashku, ku Xhafa ka prezantuar këndvështrimin e tij, por kemi rënë dakord që të kemi një opinion të ri sepse ka pasur sensibilitet dhe nga opozita që ka ngritur për këtë çështje dhe mendoj që jo vetëm opozita”, tha ai.

Kërkesa u miratua në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit të Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa deputeti socialist Fatmir Xhafaj abstenoi.

Socialistët kanë kërkuar zgjatjen mandatit të organeve të procesit të verifikimit të figurave zyrtare, pasi më 17 qershor 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik i përfundon mandati.

Kushtetuta parashikon se kur i përfundon mandati KPK-së dhe komisionerëve publikë, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Për të zgjatur afatin e funksionimit të dy organeve të reja të drejtësisë, mazhorancës socialiste i duhen edhe votat e opozitës, pasi nevojiten 94 vota.

Opinioni i Komisionit të Venecias nuk ka karakter detyrues dhe i mbetet deputetëve të parlamentit të votojnë lidhur me zgjatjen ose jo të mandatit për institucionet në fjalë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta