Ardit Hida, i dyshuar për vrasjen e një 28-vjeçari dhe plagosjen e vëllait të tij në Elbasan ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë arrest me burg.
Prokurori i çështjes, Ritvan Sukaj kërkoi caktimin e masës arrest me burg për 24-vjeçarin, e cila u la në fuqi edhe nga gjyqtarja Miranda Çkrezi (Konica).
Tre ditë më parë, Florenc Kovaçi në tentativë për të mbrojtur të vëllanë e tij, Mikel Kovaçin, 19 vjeç, u qëllua me thikë për vdekje nga Ardit Hida.
Policia arriti të arrestojë autorin e dyshuar të këtij krimi vetëm pak orë pasi kishte ndodhur ngjarja, në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese” në qytetin e Elbasanit.
Florenc Kovaçi, 28 vjeç dhe Mikel Kovaçi, 19 vjeç ishin vëllezër nga babai dhe jetonin në lagjen “Beqir Dardha” në qytetin e Elbasanit.
Mësohet se autori i krimit, para gjykatëses ka rrëfyer se ka qenë i dehur në momentin kur ka shkuar në lagjen “Beqir Dardha”.
Ai është shprehur se pasi kishte konsumuar edhe një birrë tjetër në një lokal, pranë zonës ku ndodheshin dy vëllezërit Kovaçi dhe një tjetër, vendosi të shkojë tek ata për t’i paralajmëruar që t’mos e ngacmonin motrën e tij, e cila ishte vetëm 14 vjeçe.
24-vjeçari, deklaroi se pas këtij paralajmërimi, dy vëllezërit kishin reaguar duke e kërcënuar se do t’i bënin atë që s’i shkonte as ndërmend.
“Pas kësaj mu errën sytë dhe nxora biçakun që kisha me vete që e kisha marrë për vetëmbrojtje dhe nuk mbaj mënd se çfarë kam bërë. Pasi u përlesha me 19-vjeçarin Mikel Kovaçi që donte ta kishte me zor motrën time, ndërhyri dhunshëm i vëllai që më qëlloi dhe e kam qëlluar për vetëmbrojtje. Më pas i gjakosur jam larguar nga aty dhe nuk e di sesi kam shpëtuar kokën. Më vonë më ka kapur policia dhe ende jam ne gjendje shoku…”, tha ai.
Top Channel