Vala e katërt godet Europën, Holanda e Çekia rikthejnë maskat

08/11/2021 12:15

Europa po përjeton valën e katër të pandemisë së koronavirusit thonë ekspertët, që nënvizojnë sesi kudo në kontinentin e vjetër ka rritje infektimesh.

Ka një sërë arsyesh sipas tyre, për këtë shtim dramatik të rasteve të reja. Në shumë vende ende vihet re një skepticizëm i madh ndaj vaksinës, moti i ftohtë i mbyll njerëzit tani më shumë në shtëpi, vullneti për të mbajtur maskën po bie dhe mbrojtja nga vaksina pas 5 muajsh vaksinimi të dozës së parë është zvogëluar.

Varianti Delta është po ashtu një faktor shtesë për gjendjen, pasi konsiderohet më infektues. Eksperti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans Kluge e ka vlerësuar shpejtësinë me të cilën po përhapen infektimet si “seriozisht shqetësuese”.

Ai e shikon Europën në qendër të një krize të re pandemike. Epidemiologët i tremben ardhjes drejt Europës perëndimore të një vale të katërt infektimesh nga Europa lindore, ku shifrat janë shumë të larta.

Holanda ka rivendosur së fundi detyrimin për maskat në ambientet e brendshme dhe holandezët duhet të tregojnë pasaportën e vaksinimit kur duan të jenë pjesë e jetës publike, restorante, muze etj e të njëjtën gjë ka bërë dhe republika çeke.

Spitalet janë tejmbushur në Rumani, pasojë edhe e faktit që atje u hoqën të gjitha masat kufizuese, ndërsa Bullgaria është vendi me nivelin më të ulët të vaksinimeve në BE.

Franca kërkon shtimin e vaksinimit përforcues dhe në Gjermani, autoritetet shëndetësore vendosën po ashtu  raundin e tretë të vaksinimit shtese për të gjithë qytetarët, që e kanë marrë vaksinën e dytë para gjashtë muajsh.

Në Austri, nga e hëna personat e pavaksinuar do të përjashtohen nga hyrja në kafene, restorante, apo aktivitete ku mblidhen më shumë se 25 vetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA