Një 47-vjeçare që bashkëpunoi me policinë italiane për të shkatërruar një grup mafioz që shfrytëzonte vajzat për prostitucion, është vetëvrarë, duke u hedhur nga ura.
Gruaja, që më parë është shfrytëzuar si punonjëse seksi, denoncoi tutorët e saj në vitin 1996, kur ajo ishte vetëm 22 vjeçe. Ajo u rrëmbye dhe më pas u përdhunua dhe u shfrytëzua për vite të tëra si viktimë e prostitucionit në Itali.
Shtetësja shqiptare, Adelina Sejdini kishte kërkuar statusin e refugjatit, që nuk iu pranua asnjëherë. Sipas medieve italiane, kjo ishte dhe arsyeja pse gruaja ndërmori aktin vetëvrasës.
Disa ditë më parë, ajo tentoi të vriste veten, duke u djegur me benzinë para Ministrisë së Brendshme, për të tërhequr vëmendjen e qeverisë, ndërsa mori plagë të rënda trupore. Madje, ajo ishte përpjekur të fliste me presidentin Italian, Sergio Mattarella, pasi me marrjen e statusit të refugjatit, shpresonte të blinte një apartament në Itali.
Më herët ajo ishte shprehur se shteti italian i kishte premtuar mbrojtje kur denoncoi tutorët, por kjo nuk ndodhi.
“Shteti italian, shumë vite më parë, më bindi të denoncoj tutorët, më premtuan mbrojtje. Unë kërkoj një minimum e të drejtave sepse prej shumë vitesh kam luftuar për të ndihmuar të gjitha viktimat e trafikimit, kërkoj të më jepet nënshtetësia italiane”.
Kohët e fundit, Adelina Sejdini ishte diagnostikuar me kancer, por pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore, nuk i ndali përpjekjet, duke shkuar shpesh në Romë.
E ndjera vendosi t’i japë fund jo vetëm këtyre përpjekjeve, por dhe jetës së saj, duke u hedhur nga një urë hekurudhore.
Top Channel