Ore negociatash para seancës/ Basha-deputetëve: Nuk ka konsesus me PS për Reformën Zgjedhore, Rushaj: Presim zhvillimet deri në ora 17.00

08/11/2021 14:55

Mes mazhorancën dhe opozitës nuk ka konsensus për Reformën  Zgjedhore. Pak orë para nisjes se seancës plenare ku në rendin e ditës është parashikuar ngritja e komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Lulzim Basha njoftoi deputetët e tij se deri më tani nuk ka konsensus mes palëve.

Në mbledhjen  me dyer te mbyllura kryetari i grupit demokrat, Alfred Rushaj ka sqaruar deputetët se nga komunikimi me mazhorancën nuk ka dakordësi për të përfshirë në punën e këtij komisioni ndryshimet  kushtetuese që lidhen me sistemin zgjedhor.

“Ne e kemi të rëndësishme që të mos kufizohet objekti i  punës së komisionit tek sistemi aktual, por të jemi të hapur me opsionet”, citohet t’u ketë thënë Rushaj deputeteve demokrat duke i paralajmëruar se në varësi të zhvillimeve deri në orën 17.00, do të ndërmerren hapat e lejuar nga rregullorja për qëndrimin e grupit.

Menjëherë pas këtij komunikimi Lulzim Basha mbylli mbledhjen duke mos lejuar asnjë diskutim jashtë rendit të ditës.

Top Channel