Këto janë varrezat e reja të qytetit të Durrësit. 21 vite pas hapjes së tyre gjendja në to vazhdon të jetë e mjerueshme dhe shqetësim për qytetarët.
“Në lagje mbeturina. Vjen këtu te varrezat për të heq të keqen e prindërve që kemi këtu, po këtu është bërë skandal. Ngado të kthehesh, vetëm mbeturina”.
“Po bën një vit që ka degraduar fare”.
Kjo situatë e shton më tej trishtimin e qytetarëve teksa përcjellin për herë të fundit, apo vizitojnë të afërmit që prehen në varreza. Konteinerët e mbeturinave mungojnë, ndaj plehrat i gjen kudo. Mes varreve, përgjatë rrugës së paasfaltuar dhe rrethimit të dëmtuar të varrezave në kodër. Për të shpëtuar prej tyre, shpesh, qytetarë, por edhe punonjës të shërbimit komunal u venë flakën. Ndërkohë dhe mungesën e gjelbërimit e kanë zëvendësuar barërat e këqija, që nuk pastrohen prej vitesh.
“Njerëz janë. I grumbullojnë këtu dhe i djegin”.
“Këtu është vënë dorë vetëm vitin e parë kur u bë kryetar V. Dako dhe nuk është vënë më dorë, por po shohim që kanë filluar punimet prapë”.
“Shiko ç’pisllëk është. Shteti nuk interesohet fare as për të gjallë, as për të vdekur”.
Problematika pranohet dhe nga drejtues të shërbimit komunal pranë bashkisë Durrës, që ka për detyrë mirëmbajtjen e varrezave publike, ndërsa privatizimi i këtij shërbimi ka dështuar prej disa vitesh.
“Mirëmbajtja bëhet nga sektori funeral, po me asfaltimin dhe sistemimin e shkallareve do të jetë dhe më e lehtë që të bëhet pastrimi i plehrave, pasi tani janë të paaksesueshme me mjetet qe kemi ne.”
Aktualisht, varrezat e reja të Durrësit po përballen edhe me mungesë hapësirash, por së fundmi është vendosur zgjerimi i tyre përtej rrethimit aktual duke mbuluar nevojat e qytetit edhe për të paktën 2 dekadat në vazhdim.
“Parashikohet që zgjerimi prej 45 mijë m2 t’i japë zgjidhje kësaj situate deri në 25 vitet e ardhshëm.”
Top Channel