
Rrjeti “Gazetarë të Sigurtë”, që përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, solidarizohet me kolegët shqiptarë, gazetaren e Top Channel Anila Hodha dhe operatorin Endrit Aga dhe dënon sulmin e punonjësit të policisë, ndaj punonjësve të medias.
Përmes një deklarate publike Rrjeti “Gazetarë të Sigurtë” e ka konsideruar një sjellje të papranueshme që s’duhet toleruar atë të policit, ndërsa kërkon hetimin e rastit dhe transparencë rreth rezultateve të tij. Po ashtu “SJ” shton se sjellja e policit duhet të dënohet dhe të ketë zero tolerancë në sulmet ndaj gazetarëve.
Blerjana Bino, studiuese e Rrjetit “Gazetarë të Sigurt”, tha se ky është një tjetër sulm fizik ndaj gazetarëve nga Policia e Shtetit dhe një tregues i qartë i mungesës së ndjeshmërisë ndaj gazetarëve dhe stafit të medias.
Duke e konsideruar një sjellje të papranueshme, që s’duhet toleruar, Bino tha se pavarësisht reagimit të shpejtë të autoriteteve në lidhje me rastin, ende nuk vihet re nëse do të vazhdojnë hetimet.
Teksa bën të ditur se Rrjeti “Gazetarë të Sigurtë” do të informojë të gjitha palët relevante kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast, ata kërkojnë forcimin e marrëdhënieve me organizatat mediatike dhe ekspertët për të trajnuar dhe ndërtuar kapacitetet dhe ndërgjegjësimin e punonjësve të policisë se si të ndërveprojnë me gazetarët, veçanërisht kur mbulojnë ngjarje të drejtpërdrejta.
“Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve”, citohet në deklaratë.
Ngjarja
Gazetarja Anila Hoxha dhe operatori Endrit Aga janë përballur me një moment të sikletshëm pranë kordonit policor në Qafë-Mollë, disa ditë më parë. Teksa po raportonin për operacionin e Policisë në Dajt, për nxjerrjen e trupit të biznesmenit të vrarë Ruzhdi Hoxha, një efektiv zbret nga furgoni dhe shtyn gazetaren dhe operatorin duke i hedhur poshtë rrugës, duke rrezikuar të bien në greminë.
Gazetarja është rrëzuar dhe ka pësuar gërvishtje të lehtë, ndërsa për një hark kohor të shkurtër edhe me reporterë të tjerë është konstatuar nga efektivët e policisë sjellje aspak miqësore.
Por pas këtij incidenti Policia e Tiranës ka njoftuar se punonjësi i policisë me iniciale Sh.T. është pezulluar nga detyra.
Edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka nisur një inspektim ndaj policit në fjalë. Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershëm të hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit.
Top Channel