Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës për vepra të ndryshme penale.

Dy vëllezër, të identifikuar si G. E., 26 vjeç dhe B. E., 30 vjeç, banues në fshatin Floq, Korçë u arrestuan pasi akuzohen për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Në rrugën Korçë-Ersekë, pranë kryqëzimit të fshatit Pulahë, Korçë, janë konstatuar me mjetin tip “Volkswagen” dhe në momentin që punonjësit e policisë iu bënë me shenjë që të ndalonin, për të ushtruar kontroll në mjetin e tyre, nuk iu bindën urdhrit të tyre por u larguan me shpejtësi.

Shërbimet janë vënë në ndjekje të mjetit dhe pas kapjes së tij, gjatë kontrollit të ushtruar iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa bandiera metalike që shërbejnë për mbrojtjen e rrugëve, të cilat dyshohet se dy shtetasit, i kishin vjedhur në aksin rrugor Korçë-Ersekë.

Ndërsa një 32-vjecar i identifikuar si E. K., banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, u arrestua për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në rrugën “Industriale”, Pogradec, duke drejtuar një mjet ciklomotor tip “Gunemi Moto”, pa targa, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të dhënë dokumentacionin dhe lejen e drejtimit, por i ka fyer ata dhe ka tentuar të largohet.

Nga verifikimi i kryer rezultoi se mjeti nuk kishte asnjë lloj dokumentacioni dhe drejtuesi ishte pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec për veprime të mëtejshme.

 

Top Channel