Albana Vokshi kërkon fjalën, kryedemokrati mbyll mbledhjen me shpejtësi/ Deputetja: Basha nuk më përfaqëson!

08/11/2021 15:06

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e grupit demokrat këtë të hënë nuk ka lejuar asnjë diskutim jashtë rendit të ditës, duke përshkallëzuar kështu përplasjet me deputetët që nuk janë dakord me qëndrimet e tij.

Burimet bëjnë me dije për ‘Top Channel’ se kryetarja e forumit të Gruas Albana Vokshi ka kërkuar fjalën për diskutim për të shprehur qëndrimin e saj kundër deklarimeve të lidershipit demokrat, i cili një ditë më parë, paralajmëroi se nuk do lejojë askënd që të kthejë Partinë Demokratike në një bunker për interesat personale të Sali Berishës.

Për mediat deputetja Vokshi tha “se qëndrimet e Lulzim Bashës nuk e përfaqësojnë as atë dhe as Partinë Demokratike. Basha mbylli mbledhjen duke mos lejuar asnjë diskutim”, shtoi Vokshi.

Përplasja mes  deputetes Albana Vokshit dhe Lulzim Bashës erdhi pasi kryetari i Partisë Demokratike hapi garën për kreun e ri të forumit rinor të PD-së dhe forumit të gruas.

Top Channel