Veliaj thirrje Metës: Bindu ligjit, dekreto sa më parë zgjedhjet e pjesshme vendore. Kushtetuesja dhe Venecia na dhanë të drejtë

06/11/2021 16:09

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që legjitimoi zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Kryebashkiaku Erion Veliaj i bën thirrje Presidentit Meta që të dekretojë sa më parë datën e zgjedhjeve të pjesshme.

Nga Rrogozhina ku zhvilloi një takim me strukturat e PS për analizën e zgjedhjeve të fundit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se PS është gati që të futet në zgjedhjet e pjesshme dhe do të arrijë një rezultat spektakolar.

“Ne mezi presim dekretin e Presidentit për zgjedhjet lokale në Rrogozhinë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi i Venecias ishte ai që prisnim. Si mund të thotë Presidenti nuk ka zgjedhje. Si mund të rrijë një njeri më shumë se katër vite pa u votuar tek populli?! Si mundet të vazhdojë dikush një kontratë nëse nuk e rinovon. Ti nuk rri dot në një kontratë qiraje një ditë më shumë pa e rinovuar se me të drejtë tjetri të thotë dil se mbaroi kontrata. Në jetën tonë ne nuk i shkelim kontratat. A kur je vip i madh dhe je president ti mund ta bësh këtë? Gjykata Kushtetuese bashkë me Komisionin e Venecias na dhanë të drejtë që zgjedhjet e 2019-s ishin legjitime. Do të thotë që dhe anomalitë që lindën nga ato zgjedhje duhen adresuar”, u shpreh Veliaj.

Veliaj u shpreh se PS ka qëndruar pranë qytetarëve dhe shprehu bindjen se dhe zgjedhjet e pjesshme vendore që pritet të zhvillohen për Bashkinë e Rrogozhinës, do të arrihet një rezultat fitues. “Ne jemi gati sot që atë rezultat spektakolar në këto zgjedhje ta çojmë akoma më lart. Dhe ata që nuk na kanë votuar në Rrogozhinë, teksa na shohin ne sot, thonë: Ku e kam Titin, ku e kam Gridën se Etjeni qenka aty, Erjoni qenka aty, Edisoni qenka aty, Klodi qenka aty. Kështu që dhe ata do na votojnë. Ndaj dhe unë them se nëse do të vazhdojmë t’ju shërbejmë njerëzve, njerëzit do na japin mundësinë me votë që të vazhdojmë t’ju shërbejmë. Unë besoj se ky është pakti më i mirë që kemi me Rrogozhinën. Mezi pres që Presidenti më në fund t’i bindet ligjit, të dekretojë zgjedhjet në Rrogozhinë dhe unë ju garantoj se ne jo vetëm do të fitojmë në Rrogozhinë dhe Vorë, por ne do të fitojmë dhe rekordin e zgjedhjeve të prillit që ishte rezultati ynë më i madh historik në këto 30 vjet”, deklaroi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA