Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ftuar demokratët dhe simpatizantët e LSI që të bashkohen me PS.
Gjatë takimit me strukturat e PS në Rrogozinë, Veliaj ironizoi humbjen e LSI dhe të PD në zgjedhjet e fundit, ndërsa siguroi se PS është një forcë politike që tregon gjithë vëmendjen e duhur ndaj qytetarëve.
“Nuk kanë ata pikë interesi se po të kishin interes do ishin këtu, do ktheheshin nga zonat ku morën votat dhe do thoshin: Unë jam në parlament, ja çfarë do bëjmë për ju. E keni parë t’ju kthehen, ka ardhur më Petrit Vasili me Gridën? Një parti e Titit u shua komplet dhe mirë është që kush ka ngelur nga LSI të kthehet në shtëpinë e vet. Për ata qe kanë ngel akoma te ajo kasolle që u mbyll me qepena në prill, të kthehen në shtëpi dhe për sa kohë që Partia nuk ju vjen më t’ju shohë, ejani te familja jonë, familja që i sheh të gjithë dhe familja që mezi pret të fillojë puna për mandatin tjetër”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se PD dhe LSI i trajtojnë njerëzit si mish për top.
“Kemi filluar në Tiranë dy projekte të mëdha dhe i kemi parë që kundërshtarët tanë mirë vet që nuk bëjnë asnjë punë, por këta nuk të lënë të bësh punë, nuk të lënë të bësh një kënd lodrash se do protestojë presidenti Nishani e gjithë këta me patllake. Këta nuk të lënë të bësh Astirin, e keni vënë re sa kollaj hyn në Tiranë tani? Tre vjet humbje kohe, kush t’i kthen pas? Të njëjtën gjë po bëjnë tani te “5 Maji”. I thonë njerëzve mos pranoni. Ai e ka zaptuar tokën e bashkisë, ka zaptuar 300 metra dhe i kemi thënë që aq sa ke. edhe të palegalizuara, aq do marrësh. Pra, nga 300 metra kasolle mbi ujëra të zeza te Bregu i Lumit, do marrësh 300 metra katrorë të Stefano Boerit te ndërtesat e reja. Kurse ai që është pronari real me letra do trajtohet si pronar me përqindje, 30-35% aq sa është përqindja”, deklaroi Veliaj.
Top Channel