Pas një ngërçi të gjatë, mosmarrëveshjet në Kongresin amerikan u kapërcyen për t`i dhënë dritën jeshile një pakete prej 1 trilion dollarësh mbi infrastrukturën, duke e dërguar ligjin për nënshkrim tek presidenti Joe Biden.
Votimi 228 me 206 që u krye të premten vonë, është një triumf thelbësor për demokratët e presidentit Biden, të cilët janë grindur për muaj të tërë mbi faturat ambicioze të shpenzimeve që përbëjnë pjesën më të madhe të agjendës së tij të brendshme.
Por ndërkohë, edhe 13 republikanë votuan në favor të nismës duke e shpëtuar në moment të fundit, çka u konsiderua si “tradhti” nga pjesëtarë të tjerë të kampit rival.
Administrata e presidentit Biden tani do të mbikëqyrë përmirësimin më të madh të rrugëve, hekurudhave dhe infrastrukturës tjetër të transportit në Amerikë në një gjeneratë, përmes të cilit ai ka premtuar se do të krijojë vende pune dhe do të rrisë konkurrencën e Shteteve të Bashkuara.Me një çmim prej 1.75 trilion dollarësh, kjo paketë do të përbëjë zgjerimin më të madh të rrjetit të sigurisë amerikane që nga vitet 1960.
Demokratët po përpiqen shumë që të miratojnë paketat e propozuara nga Biden, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e Virxhinias për guvernator, një paralajmërim se shumica që gëzojnë në Kongres mund të rrezikohet në zgjedhjet për organin legjislativ që mbahen vitin e ardhshëm.
Top Channel