Kabul Hunda, i akuzuar se ka abuzuar seksualisht me një 16 vjeçare në Libohovë, ka ngelur në burg pas dhënies së masës së arrestit sot nga Gjykata e Gjirokastrës.
Gjyqtarja Suela Dashi që drejtoi seancën vendosi 45 ditë arrest me burg për të pandehurin 53 vjeçar. Ai u arrestua dy ditë më parë pas akuzave se kishte abuzuar për 4 vjet rresht me vajzën e nipit të tij.
Prokurori Juljan Çafka kërkoi qëndrimin në burg për të hetuar në disa pista që besohet se do të zbardhin plotësisht ngjarjen.
53 vjecari Hunda është shfaqur para gjykatës i qetë dhe ka dhënë shpjegime për ngjarjen në praninë e avokatit të shtetit. Ai nuk i ka pranuar akuzat duke pretenduar se është i pafajshëm.
Ajo që pati interes ishte dalja në skenë e një personi tjetër. Kabuli Hunda ka deklaruar se 16 vjeçarja ka pasur dhe ka raporte intime me një 32 vjecar nga qyteti i Libohovës dhe i kërkoi organeve të hetimit ta drejtojnë vëmendjen në këtë pistë.
“Jam shumë i qetë se në përfundim do dali tjetërkush i akuzuar për një vepër të stisur” është shprehur Hunda. Ai gjithashtu tha se 16 vjecaren e ka trajtuar si vajzën e tij pasi janë pjesë e një familjeje dhe në asnjë rast nuk ka pasur tentativa për të kryer marrëdhënie intime.
Jam i bindur tha 53 vjeçari se pas kryerjes së analizave në trupin e 16 vjeçares, do zbulohet ADN-ja e një tjetër personi që është 32 vjeç nga Libohova.
Top Channel