Dhuna e efektivit ndaj gazetares Anila Hoxha, SHÇBA nis inspektimet: Vihet para përgjegjësisë çdo punonjës policie që ka sjellje jo etike

06/11/2021 19:02

SHÇBA ka nisur inspektimet në lidhje me dhunën e ushtruar nga një efektiv policie ndaj gazetares së Top Channel dhe grupit të xhirimit teksa raportonin për trupin e pajetë të biznesmenit Ruzhdi Hoxha në zonën e Qafë Mollës.

SHÇBA thotë se do të vihet para përgjegjësisë cdo punonjës policeie që shfaq sjellje jo etike e konform detyrës.

“Në vijim të lajmit të publikuar në disa media, në lidhje me sjelljen jo korrekte të disa punonjësve të policisë me përfaqësues të mediave, e në veçanti me gazetaren Anila Hoxha gjatë raportimit të një ngjarje kriminale, SHÇBA njofton se ka nisur një inspektim për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë shfaqur sjellje jo etike e konform detyrës”, thuhet në njoftim.

Gazetarja po raportonte detajet e ekzekutimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha që ishte zhdukur prej disa ditësh, ndërsa në një moment, u shty nga një efektiv.

Efektivi ishte i nevrikosur nga fakti që mediat kishin kaluar shiritin e policisë dhe reagoi me tone të ashpra duke shtyrë gazetaren dhe operatorin. Ata u rrëzuan në tokë, në anë të një gremine. Gazetarja Anila Hoxha pësoi lëndime dhe gërvishtje nga sjellja brutale e policisë.

“Polic je ti ore. Çfarë je ti? Debil”, i thotë në një gazetarja Anila Hoxha – efektivit pasi rrëzohet në tokë.

Pavarësisht se i rrëzoi, polici nuk ofroi në asnjë moment ndihmën e tij për të ngritur gazetaren dhe operatorin që u lënduan nga sjellja e tij. Kujtojmë se gazetarja Anila Hoxha ka siguruar detaje ekskluzive rreth ekzekutimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha.

Ngjarja ishte tepër sensitive dha ka mbajtur me orë të tëra audiencën në ankth në lidhje me fatin e biznesmenit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA