Policia e Shtetit ka shpërndarë një njoftim për media për të qetësuar banorët e Ishmit të cilët reaguan menjëherë pasi panë avionë të vegjël që po fluturonin në zonë. Shkak i telefonatës janë bërë rastet e mëparshme kur avione të vegjël kanë transportuar drogë nga Shqipëria drejt vendeve fqinje.
Policia ka sqaruar arsyen e prezencës së avionit të vogël që është parë duke fluturuar në zonën e Ishmit duke thënë se është kontraktuar nga Ministria e Bujqësisë, për vaksiminin e dhelprës së kuqe, nëpërmjet ushqimit nga ajri.
Gjatë ditës së sotme, banorët kanë parë 5 avionë të vegjël “kaçatorr” duke fluturuar nga ora 11:00 deri në orën 14:00 pranë zonës Durrës-Lezhë. Një prej tyre është filmuar dhe video është publikuar në rrjete sociale.
“Nga verifikimet e menjëhershme të kryera nga ana e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me kullën e monitorimit ajror në Rinas dhe me Drejtorinë e Aviacionit Civil, rezultoi se gjatë ditë së sotme kanë kryer fluturime me leje të regjistruara, në orare të ndryshme, 5 avionë të vegjël “kaçatorr”, me kohëzgjatje fluturimi deri në tre orë. Këta avionë janë të kontraktuar nga Ministria e Bujqësisë, për vaksiminin e dhelprës së kuqe, nëpërmjet ushqimit nga ajri”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel