Tokat vidheshin me falsifikim/ Vlorë, Klodian Troci dhe Bardhyl Gjika shtonin sipërfaqet e tokës në dokumente

05/11/2021 15:19

Bardhyl Gjika ish shefi i zyrës që mbante dokumentat e pronësisë mbi tokën në këshillin e qarkut Vlorë, ka qenë ndër të parët që ka folur për të treguar skemën e vjedhjes së tokave.

Dëshmitarët thonë se ai ka folur në momentin që është arrestuar nga policia por edhe më pas, para prokurorit. Ai u arrestua njëkohësisht me Klodian Trocin.

Top Channel ka mësuar disa detaje nga hetimi që po drejton prokurori Alfred Sali. Bëhet fjalë për provat e paraqitura prej tij në gjykatën që dha masën e arrestit ndaj të ndaluarve.

Sipas hetimit rezulton se Bardhyl Gjika u arrestua sepse gjatë vitit 2020 dhe në vijim ka nxjerrë nga arkivat e kadastrës së këshillit të qarkut, dokumentat e marrjes së pronësisë, për të njohur të tij në fshatrat e Himarës dhe Dhërmiut.

Këto dokumenta më pas i kane falsifikuar dhe në arkivë kanë vendosur dokumentat e ndryshuara duke shtuar sipërfaqe fiktive toke. Më pas këto dokumenta nxireshin në mënyrë zyrtare për t’u paraqitur në hipotekë.

Në këtë mënyrë janë përfituar sipërfaqe të mëdha toke bujqësore dhe kullota në breg të detit. Zyrën ku falsifikoheshin dokumentat më parë e ka drejtuar vetë Klodian Troci për 5 muaj, dhe Bardhyl Gjika ishte në rolin e specialistit. Më pas Troci largohet prej andej duke i lënë vendin e drejtorit bashkëpunëtorit të tij.

Troci në nëntor të vitit 202o u emërua drejtor i kadastrës për të dhënë dorëheqjen më 24 shtator të 2021. Ndërsa kishte nisur hetimi, bashkëpunëtorët në krim tentuan të fshehin gjurmët duke sajuar një vjedhje të arkivës në zyrën ku punonte vete Bardhyl Gjika, por skema ishte shumë amatore dhe u zbulua shpejt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA