Shefi i grupit të PDK-së në Kosovë, Abelard Tahiri është shprehur se ky vit ishte shumë i rëndë pa Presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin Kadri Veseli,

Ai i quan të pavërteta akuzat ndaj tyre për krime lufte.

Sipas Tahirit, ka ende shpresë në triumfin e së vërtetës që pritet të mbyllet shpejt dhe ata të dalin të pafajshëm.

“Ishte një vit i rëndë dhe i gjatë pa Presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin Kadri Veseli, të cilët, sot një vit më parë, iu përgjigjen thirrjes së drejtësisë për t’u ballafaquar me pretendime të pavërteta e të fabrikuara nga Serbia.

Në 5 nëntorin e 2020-tës, ishim të lënduar dhe të prekur shumë, siç vazhdojmë të jemi edhe sot, nga fakti se kapitulli i lirisë dhe shtetit tonë të pavarur për ne është bërë realitet, ndërsa për të po paguajnë çmim me lirinë e tyre personale, heronjtë tanë të gjallë, ata që e bënë këtë realitet të mundur, në këtë përballje të pa meritë e të pa bazë.

Por Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, si dhe bashkëluftëtarët e tjerë atje, nuk janë vetëm. Me ta është e vërteta dhe e drejta e popullit tonë. Me ta është rruga e ndritshme dhe e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që shembi një rrëgjim shtypës dhe na çliroi nga robëria.
Historinë e shkruar me sakrificë dhe të vërtetën tonë të pacenueshme, nuk mund ta rishkruajë as njollosë askush.

Presidenti Thaçi dhe kryetari Veseli, si dhe bashkëluftëtarët e tjerë që janë në Hagë, jo vetëm që i mungojnë familjeve të tyre, bashkëpunëtorëve dhe bashkudhëtarëve në kauzën e shenjtë, por i mungojnë edhe shtetit dhe shoqërisë tonë.

Prandaj ne kemi shpresë dhe besim të palëkundur në triumfin e të vërtetës dhe presim që ata ta përmbyllin shpejt, kapitullin e fundit të historisë sonë të re, duke mbrojtur integritetin dhe dinjitetin e popullit tonë dhe luftës sonë për liri.

Përjetë mirënjohës ndaj shembullit të tyre dhe jetës së tyre në shërbim të lirisë dhe dinjitetit tonë kombëtar”, tha ai.

Kujtojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi që prej nëntorit të vitit 2020 gjenden në paraburgim në Hagë.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa vende të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA