Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizur (SPAK) ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit Redjan Rraja dhe familjarëve të tij.
Në një njoftim për mediat, SPAK thekson se i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për vendosjen e sekuestros të pasurive si më poshtë vijon:
Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Hetimet vazhdojnë me qëllim evidentimin e pasurive të tjera që shtetasi Redjan Rraja dhe persona të tjerë të lidhur mund të kenë në zotërim apo në pronësi.
Redjan Rraja është një emër i njohur i kronikës së zezë, një personazh dënimesh dhe lajmesh gazetash, i arrestuar nga policia dhe nën akuzë për organizimin e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoj.
Rraja është arrestuar pasi policia dhe prokuroria zbuluan gjurmët e AND-së së tij në makinën që u gjet e braktisur në zonën e Shkafanës, në Durrës, që dyshohet se mund të ketë lidhje me atentatin e Shkozës.
Me një diplomë stomatologjie, Redjan Rraja rezulton të jetë përfshirë në dy ngjarje që krijuan një impakt të madh në opinionin publik; vrasja e Elton Çiços dhe dhuna e ushtruar ndaj Xhisiela Malokut.
Ai është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u akuzua për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço, më 1 maj të 2016.
Gjykata e akuzoi Redjan Rrajën në atë kohë se kishte treguar veprimet e viktimës në shoqërinë e tij, para se ai të qëllohej për vdekje, në një lokal në zonën e ish-bllokut në Tiranë.
Ndërkohë, emri i Redjan Rrajës del edhe në ngjarjen e bujshme të dhunës së ushtruar ndaj Xhisiela Malokut. Ishte ish-oficeri i Fushë Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në komisariatin numër 6, në Tiranë, se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, për çështjen “Xhisiela”.
Top Channel